Rutte: KFOR-i është aty pavarësisht aktgjykimit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së!

Advertisement

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të vazhdojë angazhimin e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, edhe pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë. Të katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse NATO pret tensione apo protesta të dhunshme pas vendimit, Rutte tha se KFOR-i do të vazhdojë të ketë rolin e tij në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“KFOR-i është atje për të kontribuar në paqe dhe stabilitet”, deklaroi Rutte, duke theksuar se misioni i NATO-s ka qenë i pranishëm në Kosovë për më shumë se 20 vjet.

Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe, në bazë të zhvillimeve të sigurisë, do të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it.

Sipas Ruttes, stabiliteti i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për vendin, por edhe për sigurinë e rajonit në përgjithësi.

Deklaratat e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s u bënë disa orë pasi Ambasada e SHBA-së në Prishtinë këshilloi shtetasit amerikanë të shmangin zonat ku janë paralajmëruar protesta më 16 shtator.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit