Në vendkalimin kufitar Tabanoc janë prezantuar rezultatet e projektit të financuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, me vlerë rreth 4 milionë euro, që synon modernizimin e kapaciteteve të Administratës Doganore.
Ministrja e Financave deklaroi se investimi nuk ka të bëjë vetëm me pajisjet e siguruara, por edhe me forcimin e një institucioni që ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të hyrave publike, luftën kundër krimit ndërkufitar dhe lehtësimin e tregtisë.
“Po shndërrojmë doganën në një doganë moderne, efikase dhe të sigurt”, tha ministrja, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes evropiane për këtë proces.
Në kuadër të projektit janë siguruar pajisje të specializuara për kontrolle dhe hetime, pajisje dhe softuerë të teknologjisë së informacionit, si dhe automjete të reja për ekipet mobile doganore dhe njësinë K-9.
Sipas ministres, pajisjet e reja do të përmirësojnë kushtet e punës së nëpunësve doganorë, do të rrisin mobilitetin dhe do të ndihmojnë në zbulimin dhe parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe krimit ndërkufitar.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe digjitalizimi i shërbimeve doganore. Zhvillimi i sistemeve EORI2 dhe i platformës për menaxhimin e identiteteve dhe nënshkrimit digjital synon të reduktojë procedurat administrative dhe të mundësojë qasje më të shpejtë e më të sigurt në shërbimet doganore.
Ministrja theksoi se këto reforma janë pjesë e procesit të përafrimit me standardet evropiane dhe përgatitjeve të vendit për integrimin në Tregun e Vetëm dhe Bashkimin Doganor të BE-së.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, të hyrat nga detyrimet e importit kanë arritur në rreth 10.5 miliardë denarë, duke shënuar rritje prej 9.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministria e Financave, sipas saj, do të vazhdojë të mbështesë modernizimin dhe digjitalizimin e administratës doganore, me synim rritjen e efikasitetit, luftën kundër ekonomisë gri dhe përmirësimin e klimës së biznesit.






