Ministri Klekovski vizitoi pikën e kontrolleve falas të ISHP-së me rastin e Ditës Botërore të Zemrës

Advertisement

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Zemrës – 29 shtator, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, vizitoi pikën e kontrolleve falas, të organizuara nga Instituti i Shëndetit Publik në qendrën tregtare „Diamond Mall“, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Këtë vit, Dita Botërore e Zemrës shënohet nën moton: „Sëmundja e zemrës mund të jetë e padukshme: Kap ritmin e zemrës! Mos humb asnjë rrahje!“. Fokusi është në njohjen e simptomave të fshehura, edukimin e popullatës dhe aktivitetet e orientuara drejt sigurimit të qasjes universale në kujdesin kardiologjik dhe kontrollet parandaluese.

Në pikën e ISHP-së, qytetarët patën mundësinë që falas të matin presionin e gjakut, nivelin e sheqerit në gjak dhe kolesterolin, si dhe lartësinë dhe peshën trupore, duke mundësuar kështu llogaritjen e indeksit të masës trupore (BMI) – një nga treguesit e rrezikut për sëmundjet e zemrës.

Vdekshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare është një nga rreziqet më të mëdha në botë. Faktorët që shkaktojnë këto sëmundje mund të parandalohen dhe të zbulohen përmes kontrolleve të thjeshta. I bëj apel qytetarëve që të kontrollojnë rregullisht presionin e gjakut dhe nivelin e glukozës në gjak dhe, nëse është e nevojshme, të marrin terapinë e përshkruar nga mjeku. Vetëm në këtë mënyrë do ta mbrojmë shëndetin, theksoi ministri Klekovski.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, theksoi se qëllimi i këtij aktiviteti në terren është rritja e ndërgjegjësimit për sëmundjet kardiovaskulare.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit