Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në përurimin e rrugës që nga sot mban emrin e artistit të madh shqiptar Avni Mula.
Përurimi u zhvillua në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, në një ditë me simbolikë të veçantë për kulturën shqiptare.
Mexhiti e cilësoi Avni Mulën si një prej figurave themeluese të muzikës profesioniste shqiptare, duke theksuar kontributin e tij në ngritjen dhe afirmimin e artit shqiptar.
Në ceremoni ishte e pranishme edhe sopranoja me famë botërore Inva Mula, vajza e Avni Mulës, prania e së cilës i dha këtij përurimi një rëndësi të veçantë.
“Emri i Avni Mulës do të jetë tashmë pjesë e Çairit, si një nderim i përhershëm për një artist që me veprën e tij i dha identitet dhe prestigj kulturës shqiptare”, u shpreh Mexhiti.







