Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, po qëndron në Bursa të Turqisë, ku po zhvillon një vizitë disa ditore me një agjendë të ngjeshur takimesh me biznesmenë, përfaqësues politikë dhe komunitetin shqiptar.
Ajo që veçohet gjatë kësaj vizite është fryma vëllazërore dhe lidhja e fortë që ekziston mes Bursës dhe shqiptarëve të Ballkanit. Bursa është një nga qytetet e Turqisë ku komuniteti me origjinë shqiptare ka një prani të fuqishme dhe një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike.
Agjenda e Qyrës nisi me takimin me biznesmenin shqiptar Gëzim Kosova, sipërmarrës i njohur në sektorin e tregtisë së frutave të ngrira, me aktivitet të gjerë në Turqi dhe eksporte në rreth 80 shtete të botës.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik. Qyra theksoi se Struga i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të biznesit dhe krijimit të kushteve për investime që kontribuojnë në zhvillim dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Vizita vazhdoi me një takim me Rexhep Altepe, ish-kryetar i Bursës dhe kryetar i Shoqatës së Kryetarëve të Komunave që i përkasin AK Partisë, partisë së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Altepe, me origjinë nga Shkupi, shprehu interes për forcimin e bashkëpunimit me Strugën dhe theksoi se qyteti do të jetë në fokus për projekte të përbashkëta me komunat turke.
Altepe paralajmëroi gjithashtu një vizitë në Strugë, së bashku me kryetarë të komunave turke, me qëllim që nga afër të shqyrtohen mundësitë për bashkëpunim dhe investime.
Nga ana e tij, Qyra tha se dyert e Strugës janë të hapura për partneritet me Turqinë, veçanërisht në fushën e turizmit, me synimin që Struga të shndërrohet në një pikë të rëndësishme ndalimi për turistët turq gjatë udhëtimeve të tyre në Ballkan.
Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai me Adnan Kurtullush, kryetar i AK Partisë për komunën Osmangazi, një komunë me rreth 800 mijë banorë, ku një pjesë e konsiderueshme e komunitetit ka prejardhje shqiptare. Kurtullush është me origjinë nga Kamenica e Kosovës.
Takimi u shoqërua me emocione dhe rrëfime për historinë e familjes së Kurtullushit, e cila, pasi kishte mbërritur në Turqi në kushte të vështira, kishte ndërtuar një rrugëtim të suksesshëm.
Kurtullush përcolli edhe një mesazh familjar që, sipas tij, ia kishte lënë babai: të jetë një derë e hapur për njerëzit e tij dhe një dorë e ngrohtë për komunitetin.
Ai e siguroi Qyrën se Struga do të jetë në vëmendjen e tij dhe paralajmëroi një vizitë të afërt në qytet, me ide konkrete për bashkëpunim.
Në takim u diskutua edhe për rolin e komunitetit shqiptar në Turqi dhe lidhjet e tij të forta me vendet e Ballkanit.
Qyra theksoi se Komuna e Strugës e ka vendosur zhvillimin ekonomik në fokus të veprimtarisë së saj, duke nënvizuar se çdo ide dhe mundësi serioze për investime dhe bashkëpunim do të trajtohet me prioritet.
Vizita në Bursa përfshiu edhe një takim në Shoqatën e Emigrantëve nga Ballkani, ku Qyra u takua nga afër me persona me origjinë nga vende të ndryshme të Ballkanit.
Kjo vizitë po shërben si një mundësi për të afruar më tej Strugën me Bursën, biznesin turk me potencialin e qytetit dhe diasporën shqiptare me vendlindjen, duke hapur perspektiva të reja për bashkëpunim ekonomik, turistik dhe kulturor.
Në kuadër të vizitës në Bursa, kryetari Qyra zhvilloi edhe një takim me Konsullin e Nderit të Maqedonisë së Veriut në Bursa, Halit Bexheti.
Në këtë takim u diskutua për forcimin e urave të bashkëpunimit mes Bursës dhe Strugës, si dhe për mundësitë konkrete që mund të shfrytëzohen në të ardhmen në funksion të zhvillimit të Strugës.
Takimi me Bexhetin i dha një tjetër dimension agjendës së Qyrës në Bursa, me theks në ndërmjetësimin, lidhjet ekonomike dhe institucionale dhe krijimin e mundësive të reja për qytetin e Strugës.
Kjo vizitë po shërben kështu si një mundësi për të afruar më tej Strugën me Bursën, biznesin turk me potencialin e qytetit dhe diasporën shqiptare me vendlindjen, duke hapur perspektiva të reja për bashkëpunim ekonomik, turistik dhe kulturor.






