BDI mblidhet nën drejtimin e Ahmetit, në fokus zhvillimet politike dhe vendimi i Hagës

Advertisement

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, sot ka drejtuar mbledhjen e Kryesisë Qendrore të partisë, ku janë diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe forcimi i kapaciteteve strukturore dhe organizative të BDI-së.

Një pjesë e veçantë e diskutimit i është kushtuar edhe vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të datës 16 shtator 2026.

Në qëndrimin e publikuar pas mbledhjes, BDI thekson se në këtë periudhë, kur vëmendja e shqiptarëve është përqendruar te Haga dhe vendimi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duhet të rikujtohet mënyra se si nisi ky proces, pretendimet mbi të cilat u ngrit dhe çfarë, sipas partisë, ka mbetur prej tyre pas disa vitesh hetime dhe proces gjyqësor.

Sipas BDI-së, procesi që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara mori shtysë nga raporti i Dick Marty-t dhe pretendimet për trafikim organesh. Partia deklaron se këto pretendime nuk janë dëshmuar gjatë procesit dhe se, sipas saj, në mungesë të fakteve është ngritur procesi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

BDI vlerëson se lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës dhe shprehet se historia e saj dhe sakrifica e popullit të Kosovës për liri nuk mund të gjykohen përmes asaj që partia e cilëson si “proces të sajuar gjyqësor”.

Në deklaratë, BDI ka folur edhe për protestat e zhvilluara pas shpalljes së aktgjykimit, duke i cilësuar ato si formë legjitime të shprehjes qytetare në një shoqëri demokratike.

“Qytetarët kanë të drejtë të shprehin qëndrimet dhe pakënaqësinë e tyre përmes protestave paqësore dhe jo të dhunshme”, thuhet në qëndrimin e partisë.

Në përfundim, BDI ka bërë thirrje që, sipas saj, të mos lejohet “që historia e luftës çlirimtare të Kosovës të tjetërsohet”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit