LSDM reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar për, siç thuhet, “kërcënime të përsëritura me Prokurorinë” dhe “keqpërdorim të familjeve të viktimave të COVID‑it dhe të zjarrit në spitalin modular”. Reagimi vjen pas deklarimit të Mickoskit se raportimet për ujë të pakualitetshëm në Gostivar kanë ekzistuar që nga viti 2021, kur ministër i Shëndetësisë ishte Venko Filipçe.
“Përsëri pa asnjë grimcë morali dhe përgjegjësie. Përsëri i lejon vetes të kërcënojë përmes mediave me Prokurorinë, edhe pas paralajmërimit të Komisionit Evropian se ndikimi mbi sistemin e drejtësisë është një nga arsyet kryesore pse Maqedonia nuk po avancon në rrugën evropiane — ai vazhdon”, thuhet në reagimin e LSDM‑së.
Partia rikujton se kallëzimi penal kundër Mickoskit, i dorëzuar me prova, është hedhur poshtë nga Prokuroria, ndërsa akuzon kryeministrin se “pranon vetë se komunikon me prokurorët në telefon”. Sipas LSDM‑së, Mickoski “kërcënon kundërshtarët politikë nga foltorja e Kuvendit dhe përmes mediave, duke porositur procese nga prokurorët”.
“Sillet sikur Maqedonia të ishte pronë private e tij, e ai shef bande që mund të bëjë çfarë të dojë. Mjaft ishte. Do të përgjigjesh, Mickoski. Për tenderët. Për blerjen e energjisë me Adamoviqin (konsull nderi). Për 5 tonët e drogës që nuk i përmend më. Për hidrocentralet. Për pastrimin e parave. Për helmimin e qytetarëve me ujë. Dhe për helmimin e hapësirës mediatike me Orbanin dhe Vuçiçin, që çoi në ndarjen e popullit — vetëm që të sundosh ti. Edhe pak. Po vjen koha e së vërtetës dhe drejtësisë. Dhe ti e di këtë. Gruevski iku. Ti nuk do të mundesh. Do të gjykohesh nga gjykata të pavarura maqedonase dhe evropiane. Atje nuk do të mund të telefonosh”, përfundon reagimi i LSDM‑së. përcjell Zhurnal.mk .






