Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot e hoqi nga rendi i ditës i seancës së 119-të propozim-ligjin për zbatimin e projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, i cili duhej të votohej me procedurë të shkurtuar. Propozim-ligji në fjalë është dorëzuar nga një grup deputetësh të VMRO – DPMNE-së dhe me të parashihej që Qyteti i Shkupit të themelonte një fondacion të veçantë, i cili gjatë realizimit të prokurimeve të tij për projektin Shkupi 2028 nuk do të ishte i detyruar ta zbatonte Ligjin për Prokurimin Publik. Propozuesit argumentojnë se për zbatimin e një projekti të tillë nevojitet një model i veçantë i menaxhimit, i cili do të sigurojë autonomi profesionale dhe programore.
Megjithatë kjo hasi në reagime të shumta të opozitës dhe organizatave joqeveritare, pas çka Gashi, pas një koordinimi të jashtëzakonshëm me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, e hoqi propozim ligjin nga rendi i ditës. Por, kjo nuk u prit mirë nga deputetët e opozitës. Sipas deputetit Talat Xhaferi, me këtë po shkelet Rregullorja e Kuvendit, pasi sipas tij kryetari i Kuvendit nuk ka të drejtë ta ndryshojë rendin e ditës me të cilin e ka thirrur seancën. Ai tha se kjo e drejtë i takon vetëm propozuesit të pikës së rendit të ditës.
“Neni 105 ju obligon nga fillimi I procedurës deri në seancë kur hapet debat, deputetët të kenë së paku 10 ditë pune, maksimum 20 ditë pune. Lexone 105. Masandej hidhëroheni kur ju themi. Ju nuk duhet të hidhëroheni, ju duhet të zbatoni, ju e shkelni neni 62 të kësaj rregullore ku janë të përshkruara kompetencat tuaja. Kompetenca juaj është të zbatoni rregulloren dhe jo ta shkelni rregulloren”, tha Talat Xhaferi, Deputet I BDI-së.
Gashi tha se Rregullorja e Kuvendit i lejon të thërrasë seanca urgjente edhe brenda një afati më të shkurtër dhe akuzoi se seanca po bllokohet përmes procedurave parlamentare.
“Sa për të dhënë një shembull se si thehet rregullorja, ky ishte shembulli tipit. Dmth e merrni fjalën për të propozuar rendin e ditës dhe e theni rregulloren. Ju kam parë 7 vite se si e theni rregulloren”, tha Afrim Gashi, kryeparlamentar
Edhe para koordinimit, partitë opozitare BDI, Lidhja Shqiptare dhe Aleanca për Shqiptarët reaguan se Gashi nuk po e respekton Rregulloren, se materialet nuk janë dorëzuar për shqyrtim të paktën dhjetë ditë më parë, si dhe se nuk po respektohet përdorimi i gjuhës shqipe.
Nga ata tjetër, në lidhje me këtë propozim ligj ka reaguar paraprakisht edhe platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit duke i bërë thirrje Kuvendit që ta ndërpresë menjëherë procedurën për miratimin e ligjit dhe kërkoi që projektligji t’i dërgohet për shqyrtim Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Platforma paralajmëroi se projektligji i jep kompetenca shumë të gjera diskrecionale kryetarit të qytetit, duke krijuar hapësirë të madhe për korrupsion. përcjell Zhurnal.mk .






