Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti ka bërë të ditur se takimi me Mickoskin është zhvilluar katër javë pas pjesëmarrjes së përbashkët në nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë.
Gjatë takimit, dy kryeministrat kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, me fokus në avancimin e projekteve të përbashkëta.
Sipas Kurtit, në takim është theksuar nevoja për përshpejtimin e procedurave për tunelin Prizren–Tetovë, projekt që, sipas tij, është i rëndësishëm për qytetarët e të dyja vendeve, si dhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomive.
Në fokus të bisedimeve ka qenë edhe zbatimi i marrëveshjes për thëngjillin. Kurti ka thënë se të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë punën për realizimin e këtyre projekteve, me synim forcimin e lidhjeve rajonale dhe sigurisë energjetike.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik”, ka deklaruar Kurti.






