Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, do të marrë pjesë në
Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve, e cila do të mbahet më 15 dhe 16 tetor
2026 në Romë, Itali.
Konferenca organizohet nën patronazhin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe
shënon 50-vjetorin e mbajtjes së takimit të parë të këtij formati në Romë, në vitin 1975.
Në këtë forum të nivelit të lartë, kryetarët e parlamenteve do të shkëmbejnë mendime lidhur me
sfidat me të cilat përballen institucionet demokratike, ndikimin e zhvillimit teknologjik në shoqëri
dhe tregjet e punës, si dhe rolin e parlamenteve në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe
gjetjen e përgjigjeve ndaj krizave bashkëkohore.
Në kuadër të konferencës do të mbahet edhe një takim i veçantë i sekretarëve të përgjithshëm të
parlamenteve, ku do të marrë pjesë edhe Marina Dimovska, sekretare e përgjithshme e Kuvendit.
Rendi i ditës i këtij takimi parasheh diskutime mbi transparencën, integritetin dhe etikën si
parakushte thelbësore për rikthimin dhe forcimin e besimit të qytetarëve te parlamentet.
Konferenca Evropiane e Kryetarëve të Parlamenteve mbahet çdo dy vjet dhe në të marrin pjesë
kryetarët e parlamenteve të 46 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe delegacione nga
shtetet me statusin e partnerit dhe të vëzhguesit, krahas përfaqësuesve të asambleve
parlamentare ndërkombëtare.
Pesëdhjetë vjet pas takimit të parë në Romë, konferenca do të përbëjë një mundësi për të
riafirmuar rolin thelbësor të parlamenteve në ruajtjen e demokracisë, garantimin e llogaridhënies,
përballimin e sfidave të reja dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, nga i cili varen paqja,
stabiliteti dhe sundimi i së drejtës.
Kryetari Gashi në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve në Romë








