Prokuroria zbardh operacionin e suksesshëm për parandalimin e vrasjes në Prishtinë

Advertisement

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka parandaluar një vrasje të rëndë në kryeqytet, pas një operacioni hetimor të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Për këtë rast janë ndaluar tre persona të dyshuar për përgatitjen e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje.

Ky operacion është realizuar nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe AKI-në. Hetimet janë fokusuar në dyshimet për përgatitjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtjen e armëve pa leje.

Me datë 28 nëntor, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy persona për një periudhë 48-orëshe. Këta individë dyshohen për veprat penale “Përgatitja e veprës penale të vrasjes së rëndë”, sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të këtij kodi.

Gjatë këtij operacioni, janë realizuar kontrolle dhe bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë. Qëllimi ka qenë lokalizimi i personave të dyshuar dhe sigurimi i provave materiale për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit.

Po ashtu, më 29 nëntor, një person tjetër është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar. Ky individ gjithashtu dyshohet për përgatitjen e vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal.

Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar armë dhe municion, përfshirë një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë të gjetur në automjetin e dyshuar, si dhe një armë të shkurtër të llojit TT me shtatë fishekë, e gjetur në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve.

Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, mbetet e angazhuar në luftimin e kriminalitetit dhe parandalimin e veprave të rënda penale, duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit