Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, deklaroi se në gjykimin kushtetues nuk duhet të ketë çështje të cilat trajtohen si “të ndjeshme” apo “më pak të ndjeshme”, por vetëm detyrimi i Gjykatës për të marrë vendime në përputhje me Kushtetutën.
Duke folur në konferencën rajonale “Si të rritet besimi në gjykatat kushtetuese”, Kostadinovski tha se besimi i qytetarëve është kapitali kryesor i një gjykate kushtetuese dhe se autoriteti i saj ndërtohet përmes cilësisë së vendimeve dhe transparencës.
Ai theksoi se edhe mosmarrja e një vendimi nuk është veprim neutral, pasi gjendja ekzistuese vazhdon të prodhojë pasoja juridike. Në këtë kontekst, ai përmendi disa raste, përfshirë ligjin për ish-Prokurorinë Speciale, ndryshimin e emrave të rrugëve dhe objekteve në Tetovë, si dhe ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës.
Kostadinovski e përmendi edhe rastin e “Balancuesit” si shembull të qasjes së re të Gjykatës, duke theksuar se tashmë nuk ka çështje që konsiderohen të paprekshme dhe se vendimet e Gjykatës duhet të tregojnë se pushteti nuk mund të mbështetet në “komoditet institucional”.
Sipas tij, transparenca dhe komunikimi i hapur me publikun janë po ashtu thelbësore për rritjen e besimit. Ai bëri të ditur se që nga marsi i këtij viti, seancat e Gjykatës Kushtetuese transmetohen drejtpërdrejt, ndërsa vendimet po shpjegohen më shpesh për qytetarët.
“Qëllimi nuk ishte t’i bënim vendimet popullore, por më të kuptueshme”, tha Kostadinovski.
Ai theksoi se interesimi për punën e Gjykatës është rritur, duke përmendur se deri muajin e kaluar janë formuar gjithsej 239 lëndë. Kostadinovski iu referua edhe raportit të Komisionit Evropian për sundimin e ligjit për vitin 2026, ku, sipas tij, është evidentuar përparim në kapacitetet e Gjykatës për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
Konferenca rajonale po zhvillohet me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ).






