19.8 C
Skopje
Saturday, April 13, 2024

Kosova shënoi sukses, krejt çka ndodhi dje në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së

Kosova e ka kaluar me sukses votimin e djeshëm në Komitetin e Asamblesë Parlamentare në KiE, që është edhe hapi i parë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kjo ndodhi pas miratimit të opinionit të raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës.

Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit.

Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta.

Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Suksesi i djeshëm i Kosovës, hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti.

Teksti i opinionit dhe suksesi i sotëm janë rezultate të një pune të pandalshme të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtar.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.

Detaje për hapat tjerë të anëtarësimit të Kosovës në KiE

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë të ditur hapin tjetër që do të merret lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Në njoftimin e lëshuar në platformën X thuhet se më 18 prill pritet që të mbahet një debat parlamentar për Raportin e anëtarësimit të Kosovës.

“Komiteti i Çështjeve Politike të PACE, i mbledhur në Paris, ka rekomanduar që Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit Evropian”

“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet të mbahet më 18 prill – dhe një votim i plotë nga Asamblea mbi qëndrimin statutor”, thuhet në njoftim.

Raporti u miratua me 31 vota për, 4 kundër dhe një abstenim.

Kush votoi kundër e kush abstenoi?

Mësohet se dy vota kundër ishin të deputetëve të Serbisë, kurse nga një votë kundër ishte nga deputetët e Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, kurse deputeti i Greqisë, Aleksis Cipras ka abstenuar.

Kosova mirëpret vendimin, Serbia e quan “skandaloz”

Në Kosovë u mirëprit vendimi i Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës. Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, tha se opinioni i raportueses Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “pa asnjë parakusht shtesë”.

“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij, të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja “janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

Në raportin e Bakoyyanis, tha zëvendësministri Ahmeti, kërkohet po ashtu edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, “fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës, dhe jo si vend sipas nenit 5”.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që ishte i pranishëm në takim, tha se raporti u votua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Por, sipas tij, gjatë takimit kishte mospajtime.

“Në Komitet deputetët ishin të ndarë. Në njërën anë, Serbia kundërshtonte dhe në anën tjetër kishte pothuajse konsensus në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Tëitter.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se kundër raportit kanë votuar dy deputetë nga Serbia, një votë kundër ishte nga deputetët e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq një deputet i Greqisë ka abstenuar.

Në Serbi, ministri i Punëve të Jashtme në mandatin teknik, Ivica Daçiq, e quajti vendimin për rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “të turpshëm dhe skandaloz”.

Daçiq tha se ky vendim “shkatërron të gjitha parimet mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës, sepse për herë të parë është propozuar pranimi i një territori që nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe nuk është i njohur ndërkombëtarisht”, u tha në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit