Korriku sjell rënie të ndjeshme në Bursën e Maqedonisë, pesë aksione përbëjnë gati 90% të qarkullimit

Advertisement

Pas një qershori shumë aktiv, në të cilin tregtimi në Bursën e Maqedonisë u rrit falë disa transaksioneve të mëdha, korriku solli një ngadalësim të pritshëm të aktivitetit në treg.

Qarkullimi i përgjithshëm në korrik ishte 380.5 milionë denarë, ose rreth 6.18 milionë euro, që paraqet një rënie prej 75.05 për qind krahasuar me muajin paraprak. Kapitalizimi i tregut u ul me 1.19 për qind, në 334.3 miliardë denarë.

Edhe indeksi MBI10 e përfundoi muajin në nivelin 9.293,43 pikë, me një rënie prej 2.4 për qind.

Pjesën më të madhe të tregtimit e përbënin aksionet e Alkaloid, Komercijalna Banka, UNI Banka, Stopanska Banka Shkup dhe Makpetrol. Këto pesë kompani realizuan së bashku qarkullim prej 292.1 milionë denarësh, ose 4.74 milionë euro, duke përbërë 88.94 për qind të qarkullimit të përgjithshëm në korrik.

Në fokusin e investitorëve ishte aksioni i Alkaloid, me qarkullim prej 123.1 milionë denarësh dhe pjesëmarrje prej 37.78 për qind në qarkullimin total. Gjatë muajit u tregtuan 5.361 aksione përmes 468 transaksioneve, me çmim mesatar prej 22.957,10 denarësh.

Në vendin e dytë ishte Komercijalna Banka, me qarkullim prej 113.8 milionë denarësh dhe pjesëmarrje prej 34.92 për qind. Në 459 transaksione u tregtuan 4.390 aksione, me çmim mesatar prej 25.916,08 denarësh.

UNI Banka realizoi qarkullim prej 34.4 milionë denarësh, me pjesëmarrje prej 10.55 për qind. Në 62 transaksione u tregtuan 4.977 aksione, me çmim mesatar prej 6.905,80 denarësh.

Me aksionet e Stopanska Banka Shkup u realizua qarkullim prej 11.3 milionë denarësh, ndërsa aksioni i Makpetrol arriti qarkullim prej 9.54 milionë denarësh.

Në korrik u shënua edhe rënie e numrit të transaksioneve. Gjithsej u realizuan 1.352 transaksione, që është 7.21 për qind më pak krahasuar me muajin paraprak.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit