Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën konstituive, opozita akuzon për shkelje të afatit kushtetues

Advertisement

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet sot, edhe pse afati kushtetues për përfundimin e saj ka skaduar mbrëmë në mesnatë.

Pas njoftimit për vazhdimin e seancës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shprehu shqetësim, duke pretenduar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka respektuar afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

PDK-ja theksoi se, sipas interpretimit të saj të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Partia opozitare e konsideroi caktimin e vazhdimit të seancës pas skadimit të këtij afati si shkelje të rendit kushtetues.

Në reagimin e saj, PDK-ja akuzoi liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, se interesat partiake i ka vendosur mbi ato shtetërore. Partia kërkoi respektimin e Kushtetutës dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.

Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e vlerësoi si problematike caktimin e vazhdimit të seancës pas skadimit të afatit kushtetues. Ai u bëri thirrje deputetëve që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës.

Sipas Cakollit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhej ta caktonte vazhdimin brenda ditës së djeshme, në mënyrë që procedura të përfundonte brenda afatit të përcaktuar.

Ai gjithashtu kërkoi që të paktën dhjetë deputetë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin për vazhdimin e seancës pas skadimit të afatit, si dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e saj.

Për momentin, çështja mbetet në qendër të debatit politik dhe kushtetues në Kosovë, ndërsa vazhdimi i seancës pritet të mbahet sot në orën 11:00.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit