Kongresisti amerikan, Keith Self, shprehu shqetësim për atë që ai e konsideron ndikim të anshmërisë politike në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë në Hagë, pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Një temë e vazhdueshme që duket se po del nga Haga, është lejimi i anshmërisë politike që të ndikojë në vendimet e saj”, shkroi Self në X.
Ai shfaqi shpresën që, sipas tij, një anshmëri e tillë të mos shfaqet gjatë shpalljes së vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Self, i cili kryeson Nënkomisionin për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, e lidhi çështjen edhe me situatën më të gjerë në rajon, duke e përshkruar Ballkanin si një “fuçi baruti”.
Sipas tij, në rajon ka regjime shtypëse që do të preferonin të nxisnin ndarje, në vend se të punonin drejt pajtimit.






