Kafshë e egër sulmon në plazhet e Greqisë: Një fëmijë dhe një i rritur përfunduan në spital

Advertisement

Një kafshë e egër ka sulmuar dhe plagosur një djalë dyvjeçar dhe një turist nga Serbia në resortin grek Neos Marmaras. Autoritetet kanë nisur kërkimet për kafshën, ndërsa po kryhen analiza të ADN-së për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për ujk apo çakall.

Në sulmin e parë, fëmija dyvjeçar nga Serbia ka pësuar lëndime në kokë dhe shpinë. Ai po trajtohet në spitalin “Hippokratio” në Selanik dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Për shkak të protokolleve mjekësore, fëmija është mbajtur i shtruar dhe po merr serum kundër tërbimit.

Disa ditë më vonë, në të njëjtën zonë është sulmuar edhe një turist tjetër serb. Sipas raportimeve, kafsha e ka kafshuar në qafë dhe në pjesën e pasme të kokës. Pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Poligirosit, ai është liruar për trajtim në shtëpi.

Ekspertët kanë marrë mostër gjenetike nga fëmija dhe e kanë dërguar në laborator. Analiza pritet të përcaktojë llojin e kafshës dhe nëse ka lidhje gjenetike me ujkun që në shtator të vitit 2025 sulmoi një fëmijë pesëvjeçar në të njëjtën zonë.

Autoritetet janë veçanërisht të shqetësuara për sjelljen e pazakontë të kafshës, e cila dyshohet se është mësuar me praninë e njerëzve. Kërkimi për të është ende në vazhdim, ndërsa banorëve dhe turistëve u është bërë thirrje të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë natës, dhe të mos lënë mbeturina jashtë kontejnerëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit