Numri i nxënësve që këtë vit regjistrohen në klasën e parë është më i ulët krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, thotë se arsyeja kryesore është rënia e natalitetit dhe jo emigrimi masiv.
Janevska bëri të ditur se të dhënat përfundimtare ende nuk janë të mbyllura, pasi procesi i regjistrimit do të vijojë deri në fund të shtatorit. Për këtë arsye, numri i përgjithshëm i nxënësve mund të ndryshojë.
Ajo theksoi se regjistrimi i nxënësve në klasën e parë është dashur të përfundojë gjatë muajve maj dhe qershor dhe të evidentohet në ditarin elektronik.
Deri në fund të gushtit, në vend ishin regjistruar rreth 14.500 nxënës të klasës së parë për vitin shkollor 2026/2027. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, këtë vit ka rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe rreth 100 më pak në arsimin e mesëm.
Ndërkohë, në 26 shkolla të zonave rurale nuk është regjistruar asnjë nxënës në klasën e parë, çka tregon për uljen e numrit të fëmijëve në disa prej këtyre vendbanimeve.






