Imeri Stafai i përgjigjet Arbër Ademit: Gjuha shqipe nuk preket, mjaft me manipulime

Advertisement

Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai i është përgjigjur nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi, lidhur me pretendimet për gjuhën shqipe duke e akuzuar për manipulim, frikësim dhe krijim të krizave artificiale.

Stafai thekson se gjuha shqipe nuk është prekur dhe nuk do të preket, ndërsa i bën thirrje Ademit dhe BDI-së që të ndalojnë, siç shprehet ajo, politikën e frikës dhe destabilizimit.

“Kur ju mungon kauza, shpikni lajme, krijoni huti dhe përpiqeni të trembni qytetarët. Por qytetarët nuk harrojnë dhe nuk mashtrohen më lehtë”, deklaron Imeri Stafai.

Ajo i drejtohet drejtpërdrejt Ademit dhe BDI-së, duke i kërkuar të reflektojë dhe të fokusohet në ndërtimin e një alternative politike, në vend të prodhimit të krizave artificiale.

“O Arbër, është koha të reflektoni. Po ecni në drejtimin e gabuar. Në vend që të prodhoni kriza artificiale, shikoni përpara. Krijoni vizion. Jepni një alternativë politike që i përgjigjet të ardhmes së shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve”, shprehet deputetja e VLEN-it.

Ajo gjithashtu e zhvendos debatin te gjendja e brendshme e BDI-së, duke thënë se një parti nuk mund të mbahet vetëm nga një kryetar dhe duke ironizuar rezultatin elektoral të Ali Ahmetit në vendbanimin e tij.

“Një parti nuk mbahet gjallë vetëm nga një kryetar. Aq më pak kur ai nga vendbanimi i tij vjen veç me 1000 vota, edhe atë të mbushura që në mëngjes!”, thotë ajo.

Sipas saj, BDI-në ndër vite e kanë mbajtur dhe e kanë çuar në fitore shumë individë, të cilët kanë ndërtuar reputacion dhe kanë fituar besimin e qytetarëve përmes rezultateve të tyre.

Në fund, Imeri Stafai apelon që BDI-ja të largohet nga politika e së kaluarës dhe të përballet me realitetin politik.

“Koha e politikës së frikës po përfundon. Qytetarët duan qetësi, zhvillim, përfaqësim dhe vizion. Jo skenarë të vjetër, jo panik dhe jo destabilizim”, përfundon ajo postimin në Fejsbuk.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit