Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot nënshkroi kontratat për grantet e ndara përmes Thirrjes së Parë Publike për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal.
Grantet do të mundësojnë krijimin dhe avancimin e shërbimeve sociale në disa komuna të vendit, në përputhje me nevojat e banorëve të këtyre komuniteteve.
Në kuadër të programit do të ofrohet ndihmë dhe kujdes në shtëpi për të moshuarit dhe personat e pafuqishëm në Gazi Babë, Petrovec, Saraj dhe Vallandovë.
Ndërkohë, në Pllasnicë, Bogovinë dhe Jegunovcë do të krijohen qendra ditore për të moshuarit, me fokus në plakjen aktive dhe dinjitoze.
Në Prilep dhe Krivogashtan do të zhvillohen qendra ditore për personat me aftësi të kufizuara, me mbështetje të përshtatur sipas nevojave individuale.
“Qëllimi ynë është që mbështetja të jetë e qasshme aty ku është më e nevojshme – në komunitetin lokal, në mjedisin ku jetojnë përfituesit”, deklaroi ministri Vellkovski.
Sipas Ministrisë, kjo nismë synon forcimin e rolit të komunave dhe organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve sociale, si dhe vazhdimin e decentralizimit të sistemit të mbrojtjes sociale.
Mbështetja është veçanërisht e orientuar drejt të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që kanë më shumë nevojë për shërbime sociale pranë komuniteteve të tyre.






