Dibra po zgjeron bashkëpunimin me përfaqësuesit diplomatikë, ndërsa vizitat e tyre po shfrytëzohen edhe për promovimin e potencialeve turistike, ekonomike dhe të lidhjeve me diasporën.
Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, priti në takim të ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Shkup, Nicole Varnes. Përveç pjesës zyrtare të vizitës, ajo pati mundësinë të njihet nga afër me bukuritë natyrore dhe potencialet turistike të qytetit.
Varnes qëndrimin në Dibër e nisi pranë Liqenit të Dibrës, ndërsa më pas realizoi një shëtitje me anije. Gjatë takimit me kryetarin Mela u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe mundësitë për promovimin e mëtejshëm të Dibrës si destinacion turistik.
Në fokus të vizitës ishte edhe diaspora dibrane në SHBA. Varnes zhvilloi takim me disa përfaqësues të komunitetit dibran që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që aktualisht ndodhet në vendlindje.
Diskutimet u përqendruan në lidhjet e forta mes Dibrës dhe SHBA-së, si dhe në mundësitë që mërgimtarët të investojnë në qytetin e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të tij.
Sipas Shoqatës Patriotike “Dibra”, me seli në Nju Jork, rreth 20 mijë dibranë jetojnë në SHBA, duke e bërë diasporën amerikane një potencial të rëndësishëm për investime dhe zhvillimin e mëtejshëm të Dibrës.






