Pensionistët në Maqedoninë e Veriut pritet të përfitojnë një rritje të re të pensioneve duke filluar nga shtatori, por kësaj radhe harmonizimi nuk do të jetë linear, por do të llogaritet në përqindje.
Ndryshe nga rritjet e mëparshme, kur të gjithë pensionistët merrnin të njëjtën shumë shtesë në denarë, rritja e ardhshme do të varet nga lartësia e pensionit që marrin. Kjo nënkupton se pensionet më të larta do të përfitojnë edhe rritje më të madhe në vlerë monetare.
Megjithatë, përqindja e saktë e rritjes ende nuk është bërë publike, pasi për llogaritjen përfundimtare duhet të merren parasysh treguesit ekonomikë që shërbejnë si bazë për harmonizimin e pensioneve.
Detajet zyrtare për nivelin e rritjes pritet të publikohen pas përfundimit të përllogaritjeve nga institucionet kompetente.






