Shkup, 16 korrik – Pesë muaj pas zgjedhjes së tij si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese, profesori i Fakultetit Juridik, Goce Naumovski, ka paraqitur dorëheqjen dhe e ka dërguar atë në Kuvend. Informacioni konfirmohet nga Kuvendi, ndërsa jozyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese thuhet se vendimi i tij ka ardhur i papritur.
Nga Gjykata Kushtetuese njoftojnë se deri në këtë moment nuk është dorëzuar asnjë njoftim zyrtar nga gjykatësi Naumovski për dorëheqjen e tij. Ai ka munguar në seancën e sotme, ndërsa mungesa e tij edhe në seancën e djeshme ka bërë që seanca e sotme të riplanifikohet. Konfirmimi i vetëm për dorëheqjen, sipas Gjykatës, ka ardhur përmes një bisede telefonike midis kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Naumovski nuk është paraqitur as sot në seancë.
Në janar të vitit të kaluar, emri i Naumovskit u publikua në listën e këshilltarëve të Qeverisë, ku ai figuronte si këshilltar i kryeministrit për çështje nga fusha e së drejtës.
Naumovski është profesor i rregullt në katedrën e së Drejtës Romake dhe ligjëron disa lëndë, përfshirë: E Drejta Romake, E Drejta dhe Teknologjia Informative, E Drejta e Markave Tregtare dhe Emërtimeve Gjeografike, E Drejta e Patentave, E Drejta Sportive, Retorika, Pronësia Intelektuale dhe Retorika dhe Argumentimi Juridik.
Ai u zgjodh në vend të gjyqtares Jadranka Daboviq‑Anastasovska, e cila në dhjetor dha dorëheqje nga funksioni për “arsye shëndetësore dhe personale”. përcjell Zhurnal.mk .





