Inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme në mësimnxënie. Por, a po ua lehtëson të mësuarit nxënësve dhe studentëve, apo po i bën më të varur nga përgjigjet e gatshme?
Profesori Naser Miftari thekson se bota digjitale nuk ndalet dhe se shoqëria duhet të jetë në hap me zhvillimet teknologjike. Megjithatë, ai ngre dilemën se si duhet të veprojnë mësimdhënësit kur dyshojnë se një detyrë është realizuar me inteligjencë artificiale.
Sipas Miftarit, çdo inovacion duhet përdorur, por kontrolli duhet të mbetet te njeriu, e jo te teknologjia.
Ndërkaq, eksperti i IT-së paralajmëron se përdorimi i inteligjencës artificiale vetëm për të marrë përgjigje të gatshme mund të krijojë varësi nga teknologjia. Ai thekson rëndësinë e mendimit të pavarur dhe të qasjes kritike ndaj informacioneve që gjenerohen nga inteligjenca artificiale.
Edhe studentët kanë mendime të ndryshme. Disa e shohin ChatGPT-në si ndihmë në mësime, ndërsa të tjerë shprehin shqetësimin se përdorimi i tepruar mund t’i largojë nga idetë dhe mendimi i tyre.
Sfida mbetet që inteligjenca artificiale të përdoret si mjet për të mësuar dhe për të fituar njohuri, e jo si zëvendësim i të menduarit të pavarur.








