Barcelona ankohet në UEFA për koreografinë e tifozëve të PSG-së

Advertisement

Barcelona ka paraqitur ankesë zyrtare në UEFA ndaj një koreografie të tifozëve të Paris Saint-Germainit (PSG), të cilën e konsideron të dhunshme dhe fyese, pas humbjes 4-2 në Ligën e Kampionëve.

Incidenti ndodhi para fillimit të ndeshjes së së martës në stadiumin “Parc des Princes”, ku tifozët ultras të skuadrës franceze shpalosën një banderolë gjigante me përmbajtje provokuese ndaj klubit katalanas.

Në koreografi paraqitej një personazh i maskuar, i ngjashëm me atë të filmit horror “The Texas Chain Saw Massacre”, duke shkatërruar stemën e Barcelonës me një sharrë elektrike të përgjakur. Imazhi shoqërohej me mbishkrimin “Masakër në stilin parizien”, ndërsa tifozët përdorën edhe mjete piroteknike për të krijuar efektin e shkëndijave që dilnin nga sharra.

Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e Barcelonës e konsideruan koreografinë të papranueshme për shkak të përmbajtjes së saj të dhunshme. Pas përfundimit të ndeshjes, klubi katalanas e raportoi rastin te delegati i UEFA-s.

Ankesa e Barcelonës nuk lidhet vetëm me koreografinë. Klubi kërkoi ndërhyrjen e organizatorëve edhe për disa banderola të tjera fyese që u shfaqën gjatë ndeshjes, si dhe për kore të tifozëve kundër skuadrës spanjolle.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur nëse UEFA ka nisur zyrtarisht procedurë disiplinore ndaj PSG-së.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit