Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) raportoi se 104 gazetarë dhe punonjës të medias u vranë në vitin 2024, prej të cilëve, më shumë se gjysma janë të vrarë në Gaza mes sulmeve të vazhdueshme izraelite, raporton Anadolu.
Raporti i IFJ-së tha se Gaza u bë një nga “vendet më të rrezikshme” për gazetarët, me 55 viktima. Në raport theksohet se që nga janari, 104 punonjës të medias janë vrarë në mbarë botën, përfshirë 12 gra.
IFJ e quajti 2024-ën si “vitin e dytë më vdekjeprurës” për gazetarët që nga viti 1990, kur filloi të grumbullonte të dhënat mbi vdekjet.
– Lindja e Mesme regjistron numrin më të madh të vdekjeve
Lindja e Mesme raportoi numrin më të madh të vdekjeve të gazetarëve, me 66 punonjës të medias të vrarë në sulme. Në raport theksohet se 55 palestinezë, gjashtë libanezë dhe një gazetar sirian u vranë në Gaza dhe Liban.
Që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza më 7 tetor 2023, numri i gazetarëve palestinezë të vrarë ka arritur në 138, duke e bërë Palestinën një nga vendet më vdekjeprurëse për gazetarët, pas Irakut, Filipineve dhe Meksikës.
Pas Lindjes së Mesme, rajoni i Azisë-Paqësorit raportoi 20 vdekje, Afrika tetë, Amerika gjashtë dhe Evropa katër. Sindikata globale e gazetarëve raportoi se 520 gazetarë janë aktualisht të burgosur në mbarë botën, duke shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme.
Sekretari i Përgjithshëm i IFJ-së, Anthony Bellanger, i bëri thirrje OKB-së të miratojë një traktat të detyrueshëm për të mbrojtur gazetarët, duke përmendur rreziqet në rritje për lirinë e shtypit mes autoritarizmit global në rritje.