Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka njoftuar për hapjen e thirrjes së re publike për trajnime në profesione dhe zeje të kërkuara në tregun e punës, në kuadër të Planit Operativ për Punësim për vitin 2026.
Përmes kësaj mase, personave të papunë u mundësohet aftësim profesional, përvojë praktike dhe mbështetje financiare, me qëllim rritjen e mundësive të tyre për punësim.
Sipas shpalljes, pjesëmarrësit do të përfitojnë 12.000 denarë kompensim mujor bruto gjatë trajnimit, si dhe 5.000 denarë shtesë për mobilitet, nëse plotësojnë kushtet e parapara.
Programi përfshin dy muaj trajnim profesional dhe një muaj punë praktike, ndërsa kandidatët që e përfundojnë me sukses do të pajisen me certifikatë.
Trajnimet do të organizohen në disa qytete të vendit, për profesione si kontabilist, elektricist, tregtar digjital, rrobaqepës, pastiçier, armaturist, fasadues, zjarrfikës dhe profesione të tjera të kërkuara në tregun e punës.
“Investojmë në aftësi, krijojmë mundësi për punësim dhe ndërtojmë një ekonomi më të fortë”, është mesazhi i ministrit Durmishi, i cili thekson rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor dhe krijimit të mundësive të reja për qytetarët.
Afati për aplikim është 26 tetori 2026, ose deri në plotësimin e numrit të paraparë të kandidatëve. Të interesuarit mund të aplikojnë në Qendrat e Punësimit, çdo ditë pune nga ora 09:00 deri në 14:00.
Më shumë informacione mund të gjenden në faqen zyrtare të Agjencisë së Punësimit:
https://av.gov.mk/oglasi-za-aktivni-merki.nspx








