Kompania “Divelop Grup”, bashkëpronar i së cilës është Jordan Mijallkov, djali i ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, nuk figuron më në listën e debitorëve të Drejtorisë për të Ardhurat Publike (DAP).
Kompania, e cila para katër muajsh kishte detyrime prej më shumë se 2 milionë eurosh, ndërkohë e ka shlyer borxhin dhe është larguar nga lista e debitorëve.
Lista më e fundit e DAP-it përfshin gjithsej 5.240 debitorë, prej të cilëve 2.008 janë persona juridikë dhe 3.232 persona fizikë.
Në krahasim me muajin paraprak, numri i debitorëve është rritur me dy kompani dhe 38 persona fizikë. Ndërkohë, borxhi i përgjithshëm i papaguar është rritur për rreth 7.3 milionë euro.
Vetëm detyrimet për tatime dhe kontribute arrijnë në 13.46 miliardë denarë, apo rreth 218.8 milionë euro, duke shënuar rritje prej afro 7.5 milionë eurosh brenda një muaji.
Në total, shteti kërkon rreth 221.8 milionë euro nga debitorët, ku pjesën më të madhe e përbëjnë detyrimet e papaguara për tatime dhe kontribute.






