Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Petruševski, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar atë për standarde të dyfishta dhe për politikat e periudhës kur ishte pjesë e qeverisë së Zoran Zaevit.
“Filipçe tha se Maqedonia nuk është në shitje, pasi me Zaevin e shitën për banesë, ndërtesë dhe vizë të artë për Dubai”, thuhet në reagimin e Petruševskit.
Sipas tij, Filipçe dhe Zaev ndryshuan emrin e shtetit duke premtuar anëtarësim në BE, ndërsa, siç pretendon ai, qytetarët morën vetëm premtime dhe fotografi.
Petruševski akuzon gjithashtu ish-qeverinë për keqpërdorime dhe interesa financiare në sektorin e shëndetësisë, duke përmendur prokurimet e vaksinave, spitalet modulare, tenderët dhe furnizimet.
Ai e kritikon Filipçen edhe për qëndrimet e tij ndaj kërkesave të Bullgarisë, duke pretenduar se ai ka pranuar një “fletë të bardhë” për kërkesat bullgare.
“Me këtë Filipçe është drejtpërdrejt kundër Maqedonisë”, deklaron Petruševski.
Në reagim, ai e akuzon Filipçen se kundërshton projekte si qendrat e të dhënave, minierat dhe fabrikat, ndërsa, sipas tij, nuk ka të njëjtin qëndrim ndaj kompanive bullgare, vizave të arta dhe investimeve jashtë vendit.
Petruševski përmend edhe qëndrimet e Filipçes për koncertin e David Guettas, duke i krahasuar ato me qëndrimin ndaj aktiviteteve të tjera muzikore.
Në fund, VMRO-DPMNE akuzon Filipçen dhe LSDM-në për “standarde të dyfishta” dhe pretendon se kjo parti do të mbetet në opozitë.






