Avokati Rodney Dixon tha se mbrojtja është e zhgënjyer me dënimin e Kadri Veselit dhe paralajmëroi apel, duke këmbëngulur se mungojnë provat për përfshirjen e tij në krime.
Rodney Dixon, avokati i Kadri Veselit, ka shprehur zhgënjimin e ekipit mbrojtës pas aktgjykimit dhe dënimit të shqiptuar ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Dixon tha se mbrojtja, gjatë gjithë procesit gjyqësor, ka argumentuar se mungojnë provat që e lidhin Veselin me krimet për të cilat është shpallur fajtor.
“Ne, si ekip mbrojtës i Veselit, jemi këtu për të thënë se jemi të zhgënjyer me aktgjykimin fajësues dhe dënimin”, deklaroi Dixon.
“Në emër të zotit Veseli, gjatë gjithë procesit gjyqësor kemi theksuar qartë mungesën e provave për përfshirjen e tij në çfarëdo rrëmbimi, vrasjeje apo aktiviteti kriminal gjatë luftës së Kosovës për liri”, shtoi ai.
Avokati i Veselit e cilësoi vendimin si një zhvillim negativ edhe për Kosovën dhe drejtësinë ndërkombëtare.
“Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Kjo nuk është një ditë e mirë për sundimin e ligjit apo për të drejtën ndërkombëtare”, tha Dixon.
Ai paralajmëroi se mbrojtja do ta analizojë në hollësi aktgjykimin dhe do të përgatitet për ta kundërshtuar atë në apel.
“Do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim voluminoz që kemi marrë, për të ngritur një apel që synon përmbysjen e tij. Do të vazhdojmë të luftojmë për të dëshmuar pafajësinë e zotit Veseli”, deklaroi ai.
I pyetur për gjendjen e Veselit pas vendimit, Dixon tha se ai është i gatshëm ta vazhdojë betejën ligjore.
“Është me moral të mirë dhe i gatshëm të vazhdojë luftën”, tha Dixon.






