Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, ka kërkuar që shefi i OKB-së të dorëhiqet, pasi Antonio Guterres ka thënë se sulmet e Hamasit nuk ndodhën në “vakum”.
“Nuk ka justifikim ose qëllim që të flitet me ata që tregojnë mirëkuptim për veprimet më të tmerrshme të kryera kundër qytetarëve të Izraelit – jo më pak nga një organizatë e shpallur terroriste”, ka thënë Erdan.
Ambasadori ka shkruar në X për këtë: “I bëj thirrje Guterresit të japë dorëheqje menjëherë”.
Guterres ka thënë të martën në një takim të OKB-së se “vuajtjet e popullit palestinez nuk mund t’i justifikojnë sulmet e Hamasit”, ashtu si edhe ato sulme “nuk mund ta justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez”.
“Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit ngulfatës për 56 vjet. Ata i kanë parë tokat e tyre të tkurren vazhdimisht nga kolonizimet dhe të goditen nga dhuna. Ekonomia e tyre është mbytur. Njerëzit janë zhvendosur dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Shpresat për zgjidhje politike për çështjen e tyre janë zhdukur”, ka deklaruar Guterres.