Aliu një vit pasi e mori detyrën: Shëndetësia hyn në fazën më të rëndësishme, vendosja e sistemit mbi baza të reja

“Para një viti mora përgjegjësinë për të udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë. Nuk ishte një periudhë e lehtë, as një sistem ku problemet mund të zgjidhen brenda natës. Shëndetësia është një nga sistemet më komplekse dhe më të ndjeshme në shtet – një sistem ku çdo dobësi e ndjen pacienti, çdo vendim ka peshë njerëzore dhe çdo vonesë nënkupton kohë të humbur për dikë që ka nevojë për kujdes”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në video-adresimin me rastin e një viti nga marrja e detyrës si ministër i Shëndetësisë.

Ministri Aliu thekson se gjatë vitit të kaluar qëllimi nuk ishte të krijohej përshtypja se gjithçka është zgjidhur, përkundrazi, është nisur nga e vërteta.

 

“Shëndetësia ka dobësi të trashëguara: organizim të pamjaftueshëm, qasje jo të barabartë në shërbime, mungesë të kuadrit, infrastrukturë të vjetëruar dhe një sistem që për shumë kohë ka funksionuar me dokumente fizike, të dhëna të fragmentuara dhe mungesë parashikueshmërie. Prandaj, synimi im ishte të mos i fshehim problemet, por të fillojmë t’i zgjidhim ato në mënyrë sistematike”, tha ministri Aliu.

Ai sqaron se gjatë vitit të kaluar është vendosur një drejtim i ri – një sistem shëndetësor që planifikon, mat, digjitalizon dhe jep përgjegjësi.

“Kemi filluar procesin e transformimit digjital. Pacienti nuk duhet të lëvizë me dosje, raporte dhe CD nga një institucion në tjetrin. Të dhënat duhet ta ndjekin pacientin, ndërsa sistemi duhet ta ndihmojë mjekun të marrë vendime më të shpejta dhe më të sigurta”, tha ministri Aliu, duke rikujtuar se janë vendosur lista transparente të pritjes, sepse qasja e drejtë në shërbimet shëndetësore është bazë e besimit.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit