Një lajm i hidhur ka tronditur sot komunitetin e futbollit në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. Ka ndërruar jetë ish-futbollisti dhe trajneri Agron Memedi, i cili për shumë vite ishte pjesë e futbollit, duke lënë gjurmë te disa klube, veçanërisht te Shkëndija dhe Renova.
I lindur më 5 dhjetor 1980 në Tetovë, Memedi karrierën si futbollist e nisi te Shkëndija, për të vazhduar më pas te Renova, ku përjetoi sukseset më të mëdha. Me skuadrën nga Xhepçishti fitoi titullin kampion në sezonin 2009/2010 dhe Kupën e Maqedonisë në sezonin 2010/2011. Ai luajti edhe për Metalurgun e Shkupit dhe pati një paraqitje me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut.
Karrierën si futbollist e përfundoi në janar të vitit 2018, për t’iu përkushtuar më pas trajnerisë. Fillimisht drejtoi Renovën, ndërsa më vonë punoi me gjeneratat e reja në akademinë e Shkëndijës.
Nga gushti i vitit 2026, Memedi ishte pjesë e stafit teknik të ekipit të parë të Shkëndijës, në rolin e ndihmëstrajnerit të Artim Pollozhanit.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Agron Memedit, anëtarit të stafit teknik dhe ish-futbollistit të klubit tonë. Sot, klubi ynë ka humbur një nga njerëzit e tij, një njeri që ishte pjesë e familjes kuqezi, fillimisht si futbollist e më pas si pjesë e stafit teknik.
Në këto momente të rënda, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Memedi, të afërmit dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën Agronin. Ai do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes sonë”.








