Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në emisionin “IMPAKT” në TV Shenja ka folur për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ndikimin e tyre te qytetarët dhe bizneset.
Bytyqi tha se masat për uljen e akcizave dhe të TVSH-së, të cilat sipas tij ishin propozuar nga LSDM-ja në muajin prill, do të mund të ndihmonin në zbutjen e rritjes së çmimeve.
Sipas tij, propozimi parashihte uljen ose heqjen e akcizave, si dhe uljen e TVSH-së nga 18 në 5 për qind, me qëllim që ndikimi i rritjes së çmimeve të karburanteve të ishte më i ulët për konsumatorët dhe bizneset.
Bytyqi theksoi se rritja e çmimeve të karburanteve mund të ndikojë edhe në çmimet e produkteve të tjera. Ai tha se edhe në rast të stabilizimit të inflacionit, çmimet e produkteve nuk kthehen domosdoshmërisht në nivelet e mëparshme.
Ai përmendi si shembull çmimin e mishit, duke argumentuar se një rritje e çmimit mund të mbetet e pranishme edhe pas stabilizimit të faktorëve që kanë shkaktuar rritjen.






