VMRO-DPMNE: Karakaçanov më mirë ta ftojë Zaevin dhe Filipçen për ceremoninë e eshtrave të Car Samoilit

Advertisement

VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj ftesës së ish-ministrit bullgar Krasimir Karakaçanov drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski për pjesëmarrjen në ceremoninë e transferimit të eshtrave të Car Samoilit në Bullgari.

Nga partia thonë se Karakaçanov do të duhej t’ua dërgonte ftesën ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj çështjeve që lidhen me Bullgarinë.

Në reagim përmenden deklaratat e mëparshme të Zaevit për Bullgarinë, ndërsa për Filipçen thuhet se edhe sot mban qëndrime të ngjashme me politikën bullgare sa i përket përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë.

VMRO-DPMNE kritikon gjithashtu Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, duke i lidhur ato me politikat e mëparshme të qeverive.

Sa i përket Car Samoilit, partia përmend edhe rastin e eshtrave të Goce Dellçevit, të cilat Bullgaria ia dorëzoi Maqedonisë, duke e cilësuar Dellçevin si një nga figurat më të rëndësishme të historisë maqedonase.

Reagimi përfundon me vlerësimin se Maqedonia e Veriut e konsideron Car Samoilin pjesë të rëndësishme të historisë së saj.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit