Përplasje për pagën minimale, Jarevski dhe Trençevska debatojnë për rritjen e pagave

Advertisement

Paga minimale, buxheti dhe politikat ekonomike ishin në qendër të debatit të mbrëmshëm në emisionin “Top Tema”, ku përballë njëri-tjetrit ishin deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski, dhe deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.

Duke komentuar kërkesën e LSDM-së për rritjen e pagës minimale nga 26.000 në 36.000 denarë, Jarevski tha se pagat nuk duhet të përcaktohen përmes vendimeve politike, por në bazë të kushteve ekonomike dhe situatës në tregun e punës.

“Paratë kurrë nuk janë të mjaftueshme dhe pagat asnjëherë nuk janë mjaftueshëm të larta”, tha Jarevski.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut përballet me pasiguri në ekonominë globale, duke përmendur luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në Iran. Sipas tij, rreth 80 për qind e shkëmbimit tregtar të vendit zhvillohet me Bashkimin Evropian.

Jarevski tha se prioritet duhet të jetë ruajtja e stabilitetit ekonomik, ndërsa rritja e pagave, sipas tij, duhet të mbështetet në rritjen e pagës mesatare, investimet dhe zhvillimin teknologjik.

Nga ana tjetër, Trençevska deklaroi se paga minimale prej 26.000 denarësh nuk është e mjaftueshme për një jetë dinjitoze. Ajo argumentoi se edhe të ardhurat e dy personave me pagë minimale, që së bashku arrijnë në 52.000 denarë, janë të pamjaftueshme për një familje katër anëtarëshe.

Trençevska përmendi gjithashtu rritjet e pagës minimale gjatë periudhës kur LSDM ishte në pushtet, duke thënë se kjo parti kishte synim përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Ajo kritikoi edhe prioritetet e Qeverisë, duke pretenduar se ka mjete për aktivitete dhe udhëtime jashtë vendit, por jo për rritjen e pagave dhe standardit të qytetarëve.

Debati u zhvillua në kuadër të propozimit të LSDM-së për një pagë minimale prej 600 eurosh, ndërsa VMRO-DPMNE e kundërshton këtë kërkesë duke e konsideruar populiste dhe joreale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit