Siljanovska-Davkova priti ambasadoren e re të Çekisë, diskutohet thellimi i bashkëpunimit

Advertisement

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka pritur sot letrat kredenciale të ambasadores së sapoemëruar të Republikës së Çekisë, Irena Gecova.

Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat që nga viti 1994 kanë zhvilluar bashkëpunimin bilateral dhe partneritetin në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

Siljanovska-Davkova dhe ambasadorja Gecova vlerësuan mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi, siguri, biznes dhe arsim. Sipas tyre, këto fusha ofrojnë hapësirë për bashkëpunim më të gjerë dhe komunikim më të madh mes qytetarëve të dy vendeve.

Presidentja tha se përvoja diplomatike e Gecovës dhe njohja e saj me rajonin mund të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve maqedono-çeke.

Në takim u diskutua edhe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe rëndësinë e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Siljanovska-Davkova falënderoi Çekinë për mbështetjen që, sipas saj, i ka dhënë vendit në procesin drejt BE-së. Ajo gjithashtu shprehu qëndrimet e saj lidhur me çështjen e bllokimeve në procesin e negociatave dhe përdorimin e çështjeve bilaterale në kuadër të procesit të integrimit.

Në fund të takimit, presidentja, përmes ambasadores Gecova, i përcolli një ftesë presidentit çek për të vizituar Maqedoninë e Veriut.

Siljanovska-Davkova i uroi ambasadores së re shëndet dhe sukses në ushtrimin e detyrës së saj diplomatike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit