Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, në një intervistë për televizionin Telma, deklaroi se vizita e delegacionit maqedonas në SHBA ende nuk ka përfunduar dhe se rezultatet konkrete të saj do të analizohen pas përmbylljes së takimeve.
Sipas Petrushevskit, vizita në Uashington është e rëndësishme për vazhdimin dhe forcimin e dialogut strategjik me SHBA-në, prezantimin e qëndrimeve ndërkombëtare të vendit, sigurimin e mbështetjes dhe tërheqjen e investimeve të reja në ekonominë vendase.
“Vizita amerikane ende vazhdon, kështu që duhet t’i përmbledhim përshtypjet dhe takimet, t’i analizojmë dhe të shohim se çfarë do të sjellin konkretisht. Politikisht, vizita te partneri ynë strategjik është gjithmonë e rëndësishme për vazhdimin e dialogut strategjik dhe forcimin e partneritetit, si dhe për prezantimin e qëndrimeve tona ndërkombëtare dhe kërkimin e mbështetjes”, tha Petrushevski.
Ai përmendi takimet e delegacionit maqedonas me kongresmenë amerikanë, zëvendëssekretarin e Shtetit Christopher Landau dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, duke i cilësuar ato si dëshmi të intensifikimit të dialogut strategjik mes dy vendeve.
Petrushevski gjithashtu tha se Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë evropian që nisi dialog strategjik me SHBA-në. Duke komentuar kritikat e opozitës, ai tha se SDSM kishte mbajtur më herët qëndrime të ndryshme ndaj administratës amerikane dhe ndaj presidentit Donald Trump.
Sipas tij, takimet e zhvilluara në Uashington tregojnë rëndësinë që administrata amerikane i kushton marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut.






