Në pothuajse të gjitha komunat e vendit, numri i të vdekurve është më i lartë se ai i të lindurve

Advertisement

Maqedonia e Veriut po përballet edhe këtë vit me bilanc negativ demografik. Të dhënat për dy tremujorët e parë të vitit tregojnë rënie të numrit të lindjeve dhe shtim natyror negativ në pjesën më të madhe të komunave.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026 janë regjistruar 3.684 lindje të gjalla, që është 3 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në nivel shtetëror, shtimi natyror është negativ dhe arrin në minus 1.005 persona.

Bilanci më i theksuar negativ është regjistruar në Manastir, me minus 118 persona. Pas tij renditen Aerodromi me minus 62, Kumanova dhe Prilepi me nga minus 59, Gostivari dhe Koçani me nga minus 58, Velesi me minus 57 dhe Ohri me minus 51 persona. Edhe Shkupi ka regjistruar shtim natyror negativ prej 36 personash.

Në anën tjetër, Tetova dhe Struga janë ndër komunat me bilanc pozitiv. Në Tetovë janë regjistruar 44 lindje më shumë se vdekje, ndërsa në Strugë shtimi natyror pozitiv është 20 persona.

Të dhënat për periudhën 2021–2025 tregojnë gjithashtu rënie të numrit të lindjeve në disa prej komunave më të mëdha. Në Tetovë, numri i lindjeve ka rënë nga 1.025 në vitin 2021 në 822 në vitin 2025. Në Kumanovë, shifra ka zbritur nga 1.011 në 829, ndërsa në Gostivar nga 583 në 440.

Rënie janë regjistruar edhe në Strugë, Kërçovë, Saraj dhe Dibër, ndërsa në Çair dhe Haraçinë ndryshimet kanë qenë më të vogla.

Në nivel shtetëror, trendi pesëvjeçar paraqet një rënie të vazhdueshme. Për herë të parë në vitin 2025, numri i lindjeve në vend ra nën 16 mijë.

Ekspertët i lidhin këto zhvillime me disa faktorë, përfshirë shtyrjen e krijimit të familjes për arsye ekonomike dhe plakjen e popullsisë. Ish-drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski, ka deklaruar se një nga faktorët kryesorë është migrimi.

Të dhënat demografike ngrenë shqetësime për zhvillimet afatgjata në vend, përfshirë uljen e numrit të nxënësve dhe zbrazjen e disa vendbanimeve, nëse trendet aktuale vazhdojnë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit