Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive nis reformimin, Ferati zbaton sistematizimin e ri

Advertisement

Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive ka hyrë në një fazë të re të organizimit të saj. Ministri Agon Ferati ka nisur zbatimin e sistematizimit të ri të vendeve të punës, duke hapur rrugën për ristrukturimin, profesionalizimin dhe modernizimin e administratës.

Ky ndryshim synon që struktura e institucionit të përshtatet më mirë me nevojat aktuale dhe sfidat që pritet të përballohen në periudhën e ardhshme.

Në kuadër të sistematizimit të ri është krijuar Departamenti për Partneritete Strategjike dhe Fonde Ndërkombëtare. Ky departament pritet të ketë rol në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në shfrytëzimin e mundësive që ofrohen përmes fondeve ndërkombëtare.

Për këtë qëllim, ministria pritet të angazhojë kuadro me përvojë dhe ekspertizë, të cilët do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e efikasitetit të administratës.

Ferati kishte paralajmëruar që në fillim të mandatit se administrata e ministrisë kishte nevojë për riorganizim, duke theksuar se disa struktura të brendshme për vite me radhë nuk kishin pësuar ndryshime dhe nuk ishin përshtatur me nevojat e reja.

Sipas ministrisë, reforma synon krijimin e një institucioni më modern, profesional dhe funksional, me administratë të orientuar drejt standardeve bashkëkohore evropiane.

Me sistematizimin e ri, synohet që struktura administrative të jetë më e përshtatur me kërkesat e qytetarëve dhe objektivat e reja të institucionit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit