Zyrtarët doganorë kanë zbuluar 200 mijë euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në pikën kufitare Tabanoc.
Sipas Drejtorisë së Doganave, paratë i përkisnin një shtetasi hungarez, i cili po hynte në Maqedoninë e Veriut dhe nuk kishte deklaruar shumën e valutës që mbante me vete.
Gjatë kontrollit, eurot u gjetën të fshehura në disa çanta dhe në një valixhe, të vendosura në pjesë të ndryshme të automjetit.
Pas zbatimit të masave të parapara me Ligjin për Punën Devizore, autoritetet i kanë kthyer shtetasit 10 mijë euro, ndërsa 190 mijë euro janë mbajtur.
Për rastin është iniciuar procedurë kundërvajtëse, ndërsa Drejtoria e Doganave ka bërë të ditur se kontrollet në pikat kufitare do të vazhdojnë.






