Gjinekologu Dejan Ognenoviq është sulmuar fizikisht në ordinancën e tij në poliklinikën “Bukuresht” në Shkup, ndërsa po kryente kontrolle ndaj pacienteve. Si pasojë e sulmit, ai ka pësuar frakturë të vertebrës së dytë të qafës.
Në dëshminë e tij për televizionin Sitel, mjeku tha se sulmi ndodhi pasi personi hyri në ordinancë, fillimisht e kërcënoi verbalisht dhe më pas e sulmoi fizikisht.
Ognenoviq pretendon se sulmi mund të jetë i lidhur me përpjekjet për ta larguar nga ordinanca dhe përmendi konkurrencën si një nga arsyet e mundshme.
Sipas tij, disa ditë para sulmit, dy gra të veshura me mantela të bardha mjekësore dhe me shirita të zinj kishin mbuluar kamerat e sigurisë në ordinancë. Ai tha gjithashtu se më herët ishte prerë edhe kablloja e internetit.
Mjeku shpjegoi se kamerat ishin vendosur pasi në disa raste ishin zhdukur dosje mjekësore të pacientëve.
Dokumentacioni mjekësor ka konfirmuar frakturën e vertebrës së dytë të qafës, ndërsa në orët e para pas sulmit ai kishte pasur edhe vështirësi me lëvizjen e nofullës dhe duarve.
Rasti është raportuar në polici më 16 shtator. Ognenoviq tha se ende nuk ka marrë informacione për ecurinë e procedurës dhe se është i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes.
Nga SPB Shkup kanë bërë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit. Pas përfundimit të procedurës, pritet të dorëzohet kallëzim penal në Prokurorinë Publike kompetente.
Ordinanca gjinekologjike është nën koncesionin e doktor Ognenoviqit prej rreth dy vitesh e gjysmë, ndërsa ai ka edhe disa ordinanca të tjera në të njëjtën poliklinikë.






