Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka reaguar për vendimin e shpallur në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sali e ka cilësuar aktgjykimin si një ndëshkim ndaj luftës së UÇK-së dhe sakrificës së popullit të Kosovës për liri.
Sipas tij, UÇK-ja u krijua me qëllim të mbrojtjes së popullit të Kosovës, ndërsa vendimet gjyqësore, siç shprehet ai, nuk mund ta ndryshojnë historinë e luftës.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi nga nevoja për ta mbrojtur popullin e Kosovës, andaj pavarësisht vendimeve gjyqësore, lufta e saj mbetet pjesë e historisë së lavdishme çlirimtare dhe e lirisë së Kosovës”, ka shkruar Sali.
Ai ka shprehur pritshmërinë që procesi i apelit të mundësojë një rishqyrtim të plotë të vendimit, duke theksuar se drejtësia duhet të kërkohet deri në fund.
Në fund, Sali ka shprehur solidaritet me familjet e të dënuarve, bashkëluftëtarët e tyre dhe qytetarët e Kosovës.
“Liria e Kosovës e ka historinë e saj, i ka emrat e saj të përveçëm dhe ajo histori nuk fshihet kurrë”, ka përfunduar ai.






