Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Gashi ka deklaruar se, pavarësisht verdiktit të Gjykatës Speciale, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përkasin, sipas tij, një kapitulli të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
“Asnjë verdikt nuk mund ta mohojë faktin se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës”, ka shkruar Gashi.
Sipas kryeparlamentarit, në periudhën kur liria e Kosovës, si dhe paqja e stabiliteti i rajonit, ishin ende objektiva për të cilat duhej luftuar, katër ish-krerët morën përsipër përgjegjësi historike.
“Në kohën kur liria e Kosovës dhe paqja e stabiliteti i rajonit ishin ende një ideal për të cilin duhej luftuar, ata patën guxim të angazhohen dhe ta marrin mbi vete përgjegjësinë historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre”, është shprehur Gashi.
Ai ka theksuar se, për shqiptarët, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi vazhdojnë të konsiderohen çlirimtarë të Kosovës.
“Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon”, ka deklaruar Gashi.
Duke iu referuar aktgjykimit të shpallur në Hagë, kryetari i Kuvendit ka theksuar se vendimi është i shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.
“Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa beteja për drejtësi vazhdon”, ka thënë Gashi.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në këtë periudhë të qëndrojnë të bashkuar dhe me qetësi, duke shprehur solidaritet me ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre.
“Andaj, sot është dita të qëndrojmë bashkë, me dinjitet e qetësi dhe të dëshmojmë se mendjet dhe zemrat tona janë pranë çlirimtarëve dhe familjeve të tyre”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Gashi ka vënë theksin te lufta për një Kosovë të lirë, duke e cilësuar atë si betejën më të vështirë të atij brezi.
“Sepse Kosova e lirë ishte beteja më e vështirë dhe ata e fituan. Sepse Kosova e lirë është dëshmia e atij brezi që guxoi ta ëndërronte lirinë dhe njëkohësisht ngushëllimi që duhet të na mbajë të fortë përballë vendimit të sotëm dhe sfidave të tjera”, ka përfunduar Gashi.






