Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke e cilësuar vendimin si “të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes”.
Ahmeti ka bërë thirrje për maturi dhe unitet, duke theksuar se, sipas tij, nuk duhet të lejohet që vendimi të shndërrohet në burim tensionesh apo përçarjesh.
“UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti, duke shtuar se pretendimet e dikurshme për trafikim organesh nuk u shndërruan në akuza në këtë proces.
Ai gjithashtu ka theksuar se Gjykata i ka shpallur të pafajshëm të akuzuarit për akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa pjesa tjetër e aktgjykimit lidhet me akuza për krime lufte.
“Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka paralajmëruar se beteja juridike nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë, duke shprehur bindjen se mbrojtja do ta vazhdojë procesin në Gjykatën e Apelit.
“Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!”, përfundon reagimi i Ahmetit.
Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën sot aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Gjykata i dënoi për disa vepra penale të lidhura me krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.






