“Shame and Money” në PriFest, një rrëfim mbi paranë, turpin dhe përplasjen mes fshatit e qytetit

Advertisement

Dilara Sollova

Në kuadër të PriFest-it, kinemaja kosovare u përball edhe me një prej pyetjeve më të ndjeshme të jetës së përditshme: çfarë ndodh me njeriun kur paratë nuk janë më vetëm mjet për të jetuar, por bëhen gjuhë përmes së cilës ndërtohen, maten dhe ndryshojnë marrëdhëniet mes njerëzve? Pikërisht këtë hapësirë e eksploron “Shame and Money”, filmi i regjisorit Visar Morina, i cili pati premierën në Kosovë në kuadër të festivalit.

Me një kohëzgjatje prej 129 minutash, “Shame and Money” është një dramë sociale dhe një bashkëprodhim mes Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës. Filmi pati premierën botërore në Sundance Film Festival 2026, në konkurrencën World Cinema Dramatic, ndërsa ardhja e tij në PriFest e solli këtë histori përballë publikut kosovar, në hapësirat dhe realitetin nga i cili është frymëzuar.

Në qendër të “Shame and Money” janë Shabani dhe Hatixhja, një çift në të 40-at që jeton së bashku me familjen e gjerë në një zonë rurale të Kosovës. Jeta e tyre është ndërtuar mbi një mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë mbijetese: puna në fermë u siguron të ardhurat dhe njëkohësisht i mban të lidhur me vendin ku kanë ndërtuar jetën e tyre. Në këtë hapësirë, familja nuk është vetëm një bashkësi njerëzish që jetojnë nën të njëjtën çati, por një sistem marrëdhëniesh dhe përgjegjësish ku secili është pjesë e jetës së tjetrit.

Shabani dhe Hatixhja janë pjesë e kësaj bote dhe filmi i ndjek në një moment kur ky ekuilibër fillon të prishet. Një konflikt familjar i vendos përballë humbjes së burimit të vetëm të të ardhurave. Ferma, e cila deri atëherë kishte qenë baza e jetës së tyre, nuk mund të vazhdojë t’u sigurojë atë që u nevojitet. Për një familje që jeton me atë që prodhon dhe shet, kjo nuk është thjesht humbje e një pune. Është humbje e sigurisë, e pavarësisë dhe e mënyrës së jetesës që e kanë njohur.

Kështu, Shabani dhe Hatixhja detyrohen të largohen nga fshati dhe të nisen drejt Prishtinës. Ky kalim nga fshati në qytet shndërrohet në një prej shtyllave kryesore të filmit. Ata nuk hyjnë në qytet me sigurinë se do të gjejnë një jetë më të mirë; përkundrazi, hyjnë në të me nevojën urgjente për të mbijetuar. Duhet të gjejnë mënyrën për të siguruar të ardhura, të gjejnë strehim dhe të krijojnë një bazë të re për familjen, ndërkohë që gjithçka që kanë njohur deri atëherë mbetet pas.

Në fshat, jeta e tyre kishte qenë e lidhur me një komunitet dhe me një hapësirë ku njeriu nuk ishte thjesht individ, por pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ambientin përreth. Në qytet, rregullat ndryshojnë. Shabani dhe Hatixhja përballen me një shoqëri ku mundësitë janë të lidhura me konkurrencën dhe ku pothuajse çdo nevojë e përditshme ka një çmim. Puna duhet fituar në konkurrencë me të tjerët, banesa duhet siguruar përmes parave dhe edhe gjërat më të zakonshme të jetës urbane marrin një dimension ekonomik.

Kjo e vendos çiftin përballë një realiteti të ri, ku nuk mjafton më vetëm puna e tyre për të garantuar një jetë të qëndrueshme. Ata duhet të mësohen me një sistem në të cilin paraja është bërë pjesë e pandashme e marrëdhënieve njerëzore. Në këtë kuptim, filmi nuk e sheh paranë vetëm si diçka që mungon në xhepat e personazheve, por si një forcë që ndikon në mënyrën se si ata e përjetojnë botën dhe njerëzit përreth tyre.

Pikërisht këtu fillon të marrë formë edhe kuptimi i titullit “Shame and Money”. Turpi dhe paraja nuk qëndrojnë si dy tema të ndara, por ndërthuren brenda një realiteti ku pamundësia ekonomike mund të prekë edhe dinjitetin e njeriut. Kur një familje humb mundësinë për ta siguruar jetesën në mënyrën e vet, ajo nuk humb vetëm një burim financiar. Bashkë me të vihet në pikëpyetje edhe ndjenja e sigurisë, e pavarësisë dhe e vendit që njeriu mendon se ka në shoqëri.

Për Shabanin dhe Hatixhen, zhvendosja në Prishtinë bëhet kështu një përballje me një botë që funksionon ndryshe nga ajo që kanë lënë pas. Fshati dhe qyteti nuk paraqiten vetëm si dy lokacione të ndryshme, por si dy mënyra të ndryshme të të jetuarit. Njëra e mbështetur më shumë në komunitet, në familje, në punën e përbashkët dhe në lidhjen me vendin; tjetra e ndërtuar mbi konkurrencën, nevojën për të fituar dhe mbi një sistem ku marrëdhëniet shoqërore gjithnjë e më shumë kalojnë përmes ekonomisë.

Në mes të kësaj përplasjeje qëndron marrëdhënia e Shabanit dhe Hatixhes. Ata përballen bashkë me pasigurinë dhe me nevojën për të gjetur një rrugëdalje, ndërsa filmi e ndërton raportin e tyre jo vetëm përmes dialogut, por edhe përmes heshtjeve, shikimeve dhe gjuhës së trupit. Në një realitet ku presioni i jashtëm rritet, marrëdhënia e çiftit bëhet një prej hapësirave të pakta ku mund të shihet pesha emocionale e asaj që po përjetojnë.

Pikërisht për këtë arsye, “Shame and Money” nuk mbetet vetëm histori për një familje që humb të ardhurat dhe zhvendoset në qytet. Përmes fatit të Shabanit dhe Hatixhes, filmi hap një panoramë më të gjerë mbi ndryshimin e shoqërisë kosovare: mbi fshatrat që zbrazen, mbi njerëzit që largohen nga vendet ku janë rritur për të kërkuar mundësi në qytete, mbi nevojën për të siguruar një jetë më të mirë dhe mbi çmimin që mund të paguhet kur mënyra e vjetër e jetesës nuk mjafton më.

Filmi e vendos kështu personazhin përballë një pyetjeje të vazhdueshme: sa nga vetja duhet të ndryshojë njeriu për t’iu përshtatur një bote që kërkon prej tij të jetë vazhdimisht në garë? Dhe çfarë ndodh me marrëdhëniet njerëzore kur paraja fillon të bëhet një prej mënyrave kryesore përmes së cilës njerëzit komunikojnë, kërkojnë siguri dhe matin mundësitë e tyre?

Në këtë kuptim, rrugëtimi nga fshati drejt Prishtinës është edhe rrugëtim nga një botë e njohur drejt një bote të pasigurt. Shabani dhe Hatixhja nuk largohen thjesht nga një vend; ata detyrohen të lënë pas një mënyrë të të jetuarit dhe të hyjnë në një realitet ku duhet ta rindërtojnë veten nga fillimi. Dhe pikërisht në këtë përplasje mes asaj që kanë qenë dhe asaj që u kërkohet të bëhen, filmi e gjen tensionin e tij më të madh.

Filmi, megjithatë, nuk e trajton këtë realitet vetëm përmes ekonomisë. Brenda tij qëndron edhe një vështrim mbi ndryshimet e shoqërisë kosovare, mbi boshatisjen e fshatrave, mbi lëvizjen drejt qyteteve dhe mbi mënyrën se si ndryshimi i mënyrës së jetesës ndryshon edhe raportet mes njerëzve.

Për Morinën, kjo temë kishte edhe një lidhje personale. Ai tregoi se ka lindur në Prishtinë, por është rritur në Çikatovë, fshati që përmendet në film dhe që për të lidhet edhe me historinë e familjes së tij.

“Unë kam lindur në Prishtinë, në spital, por jam rritur në Çikatovë, në fshatin i cili përmendet në film”, tha Morina.

Duke folur për këtë hapësirë, ai kujtoi historinë e dhimbshme të Çikatovës, ku, siç tha, kanë ndodhur vrasje të tmerrshme dhe ku shumë familje janë larguar ndër vite. Edhe familja e tij e kishte lëshuar fshatin në vitin 1990. Gjatë kërkimit të lokacioneve për xhirime, regjisori vuri re edhe rënien e numrit të banorëve.

“Numri i banorëve ka ra shumë gjatë kërkimit të vendndodhjes për xhirime, kështu që nuk jam çuditë nëse ka pasë numër të vogël të banorëve. As 30 për qind e banorëve që kanë jetuar më herët”, tregoi ai, duke e parë këtë jo vetëm si një fenomen të një fshati, por si pjesë të një zhvillimi që ka prekur në mënyra të ndryshme gjithë Kosovën.

Një prej dallimeve që Morina e kishte ndier veçanërisht gjatë realizimit të filmit ishte edhe ai mes jetës në fshat dhe asaj në qytet. Ai solli një kujtim personal nga një rast kur, duke ecur nga një fshat drejt një tjetri, kishte vërejtur një njeri që po ecte pas tij dhe ishte ndalur për ta pritur, në mënyrë që të mos vazhdonte rrugën vetëm.

Ky moment i thjeshtë i kishte mbetur në mendje gjatë punës për filmin, sepse, sipas tij, tregon një mënyrë tjetër të të qenit pjesë e një vendi.

“Qasja në fshat është ma ndryshe. E ki vendin ton, je pjesëmarrës i ambientit. Nëse lules i duhet diçka, kujdesesh për lulen, ose kafshës, ose nanës, ose babes, ose fëmijës”, tha ai.

Ndërsa qytetin e përshkroi si një hapësirë ku individi, shpesh pa dashur, hyn në një garë të vazhdueshme.

“Në qytet, dashtë s’dashtë, je në një mënyrë në konkurrencë. Konkurron për çdo send, për parking, për punë. Në një mënyrë ti nuk i duhesh qytetit. Qyteti mundet me qenë shumë në rregull pa ty ose pa mu, kurse te fshati është ma ndryshe”, u shpreh Morina.

Në këtë reflektim mbi paranë dhe ndryshimet shoqërore, ai solli edhe kujtimin e kalimit nga marka në euro, duke folur për mënyrën se si edhe ndryshime të tilla ekonomike mund të krijojnë pasiguri dhe mbingarkesë, veçanërisht për brezat që i përjetojnë ato drejtpërdrejt.

“Kur ka ndryshu marka në euro, qysh ka me u prit prej pleqve se është bo një hallakamë ndryshimi i parasë. Jo lufta, jo Jugosllavia, më duket shumë tmerr edhe mbingarkesë”, tha Morina.

Përtej asaj që ndodh me Shabanin dhe Hatixhen, filmi ndërton edhe një gjuhë të veçantë të personazheve, ku shumëçka nuk thuhet drejtpërdrejt. Skenari është shkruar bashkë nga Visar Morina dhe Dorontina Basha, një proces që, siç tregoi skenaristja, ishte i gjatë dhe i mbështetur në vazhdimësi në diskutim dhe shkëmbim idesh.

“Si fillim, skenarin e kemi shkruajt bashkë, skenarin me Visarin, kështu që ka qenë një proces mjaft i elaborum. Normalisht, gjatë gjithë asaj kohe, përveç punës, ka qenë një bashkëbisedim”, tha Basha.

Për të, sfida kryesore ishte që personazhet të mbeteshin njerëzorë dhe autentikë, në mënyrë që zëri i tyre të mos dukej i ndërtuar vetëm për nevojat e një filmi, por të vinte nga bota ku ata jetojnë.

“Po mendoj gjithmonë është detyra që karakteri me qenë autentik, në kuptimin me qenë sa ma njerëzor. Dhe besoj që edhe zëri i karakterit vjen prej a është autentik apo jo”, tha Basha.

Ajo veçoi edhe mënyrën se si Shabani dhe Hatixhja komunikojnë me njëri-tjetrin dhe se si kjo marrëdhënie mund të funksionojë përtej fjalëve.

“Në qoftë se Shabani edhe Hatixhja mbërrijnë me komuniku me gjuhën dhe botën e vet prej fshatit edhe përjetimeve, nëse ata arrijnë me komuniku me audiencën në festivale ndërkombëtare, besoj që ka mbrri zëri i tyre me qenë autentik në aspektin e përjetimeve edhe çka përfaqësojnë, jo veç brenda filmit, por edhe të kohës që po jetojmë”, theksoi ajo.

Në këtë gjuhë të heshtur të filmit merr vend edhe Adelina, personazhi i interpretuar nga Fiona Gllavica. Për aktoren, Adelina ishte një personazh që kërkonte të dëgjohej pikërisht përmes asaj që nuk thotë.

“Adelina në këtë rast si personazh ka qenë shumë i rëndësishëm për mu, sepse është një personazh që nuk përshkruhet, nuk thotë shumë. Ajo e ka heshtjen”, tha Gllavica.

Ajo tregoi se këtë heshtje të Adelinës e kishte marrë me vete gjatë interpretimit, duke u përpjekur që emocionet e personazhit të mos shfaqeshin domosdoshmërisht përmes fjalëve.

“Unë besoj si Fiona e kam marrë heshtjen mbrapa, heshtjen e saj. Personazhi në këtë rast ka shumë emocione brenda, po nuk i thotë. Publiku sot ka me pa një Adelina tjetër prej asaj që ajo është brenda, ose ka me i pa dy botë të ndryshme krahasuar me motrën e saj Hatixhen. Kurse unë si Fiona e kam marrë atë heshtjen, atë të brendshmen e Adelinës me veti”, u shpreh ajo.

Për Gllavicën, përvoja e filmit nuk nis me shfaqjen në Kosovë. “Shame and Money” e kishte nisur rrugëtimin e tij ndërkombëtar në Sundance Film Festival, ndërsa për aktoren, takimi me publikun kosovar kishte një peshë tjetër emocionale.

“Filmi është shfaqë për neve në Sundance Film Festival. Unë në Sarajevë nuk kam qenë atje, nuk i kam pa kolegët tanë. Ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë që është shfaqë atje për herë të parë, por kur e shfaq për publikun tonë, e di që për secilin prej neve ka me qenë një ndjenjë tjetër”, tha ajo.

Në këtë pritje për reagimin e publikut ishte edhe Astrit Kabashi, i cili interpreton Shabanin. Për të, ndjenja ishte e veçantë pikërisht sepse filmi tani po i dorëzohej publikut të vendit prej nga buron historia.

“Fillimisht jo vetëm që jam me Visarin dhe Dorontinën, por edhe kolegët e mi. Kur shkoj me Visarin jashtë me filmat e tij të tjerë, nuk jemi aspak të kompleksum, jemi shumë të lirshëm. Normal që këtu kemi emocione ndryshe dhe mezi po presim me i pa reagimet e njerëzve, sepse prej këtu ka fillu gjithçka”, tha Kabashi.

Ai e konsideroi temën e filmit universale, duke kujtuar edhe reagimet e publikut ndërkombëtar gjatë shfaqjes në Sundance.

“Kjo është një temë universale. Edhe njerëzit në Sundance i shihnim si reagonin, sepse njerëzit kalojnë nëpër këtë temë, sepse kalojnë në vështirësi të njëjta”, u shpreh ai.

Kabashi foli edhe për mënyrën e ndërtimit të marrëdhënies mes Shabanit dhe Hatixhes, e cila në film shpesh përcillet përmes shikimeve dhe gjuhës së trupit.

“Se pari është meritë e skenaristëve. Ashtu siç edhe Flonja në një intervistë thotë, ata komunikojnë përmes syve. Gati është komplet gjuhë e trupit dhe lidhja e tyre është shumë e fortë, sidomos në rrethana të tilla që nuk është e lehtë me mbijetu”, tha ai.

Puna me regjisorin, sipas Kabashit, kërkonte gjithashtu një proces të thellë përtej interpretimit teknik.

“Gjithmonë e them që është meritë e regjisorit. Unë kam pasë frikë shumë edhe regjisorit i kam thënë që nuk kam qef me qenë në personazhe të përsëritura, edhe Visari e ka që të bën me e bo një skenë 100 herë, deri sa zhveshesh komplet prej frikërave të tua apo komplekseve”, tregoi aktori.

“Shame and Money” është filmi i katërt në të cilin Kabashi punon me Morinën, por, siç tha ai, bashkëpunimi nuk humb asnjëherë ndjenjën e fillimit.

“Duhet me e cek që nuk është filmi i parë që punoj me Visarin. Është hera e katërt, por sa herë që punojmë është si hera e parë”, tha Kabashi.

Pas historisë së filmit dhe interpretimit të aktorëve qëndron një proces i gjerë produksioni, i cili, sipas bashkëproducentit Eshref Durmishi, nuk ka qenë aspak i lehtë. Filmi është realizuar si bashkëprodhim ndërkombëtar dhe është përkrahur nga IMAZH dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Është një bashkëprodhim në mes Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Belgjikës, përkrahur prej IMAZH-it dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës”, tha Durmishi.

Një prej vështirësive kryesore ishte mënyra e xhirimit. Morina kishte kërkuar fillimisht një ekip të vogël, por realizimi në ambiente reale, veçanërisht në Prishtinë, kërkonte një numër të madh njerëzish dhe një organizim të ndërlikuar.

“Me prodhu një film nuk është asnjëherë e thjeshtë. Të them të drejtën, nuk është prej atyre filmave të lehtë. Kemi mendu që edhe në fillim Visari ka ardhë, ka dashtë me pasë një ekip të vogël, prej në realitet që e kemi pasë ka qenë e pamundur”, shpjegoi Durmishi.

Xhirimet në pjesët rurale ishin disi më të lehta për shkak të trafikut më të ulët, ndërsa pjesët e realizuara në Prishtinë u xhiruan në vende reale dhe në kohë reale, duke kërkuar angazhimin e ekipeve për bllokimin e rrugëve dhe sigurimin e hapësirave.

“Në pjesën tjetër e kemi xhiru në Prishtinë dhe e kemi xhiru në kohë reale, në vende reale. Është gati e pamundur me u xhiru me një ekip të vogël, sepse duhen shumë njerëz, duke fillu për bllokime të rrugës, me pasë sigurinë në rrugë dhe gjithçka tjetër. Kështu që realisht nuk ka qenë prej atyre filmave të lehtë për me u xhiru”, tha Durmishi.

Në kastin e filmit, përveç Astrit Kabashit, Flonja Kodhelit, Kumrije Hoxhës, Fiona Gllavicës dhe Alban Ukajt, janë edhe Tristan Halilaj, Bedri Berisha, Abdinaser Beka, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Edmond Osmanaj, Shehide Topalli, Rebeka Qena, Fis Cahani, Nafie Azemi, Ylber Mehmeti, Mejreme Berisha, Besnik Krapi, Selman Lokaj, Teuta Ajdini, Dafina Bytyqi, Labinot Lajqi, Kushtrim Hasimi, Eshref Durmishi, Naser Zymberi, Basri Lushtaku, Getuart Hajrizaj, Visar Krusha, Valdete Demaj, Shpetim Selmani, Aurita Agushi, Daniela Markaj, Valina Muqolli, Advije Ukça, Fatos Berisha, Gjin Latifi, Refet Abazi dhe Mervete Abdullahu.

Në realizimin e filmit është angazhuar një ekip i gjerë ndërkombëtar dhe vendor. Line producer për Kosovë ishte Besnik Krapi, ndërsa line producer për Gjermani Anastasia Pisklyukova. Production manager ishte Liridon Cahani, ndërsa si first assistant director për pjesën e parë të filmit ishte Lukas Kudapčenka dhe për pjesën e dytë Valter Lucaj. Xheraldina Krasniqi ishte second assistant director, ndërsa Era Muqolli script supervisor dhe Pranvera Shala third assistant director. Advije Ukça ishte personal assistant e regjisorit, ndërsa Mjellma Istrefi production coordinator.

Në ekipin teknik ishin gjithashtu Fis Cahani si location manager, Claudia Schwarz si first assistant camera dhe focus puller, Bujar Hoxha si second assistant camera, Leotrim Lezi si video operator dhe third AC, Jetmir Zenelaj në steadicam dhe B-cam, Trajce Velickovski si key grip, Adrian Podrimaj si DIT, Kostadin Doncev si gaffer dhe Flamur Hasani si best boy.

Në departamentin e elektricistëve u angazhuan Arber Vitia, Berat Hajdari dhe Ardit Merovci, ndërsa Darko Boškovski ishte boom operator dhe Armir Bashota e Gëzim Bajrami second boom. Blen­dina Arifi ishte art director, ndërsa Azra Ibrahimi assistant to production designer. Visar Haziri dhe Driton Musliu ishin set dressers, ndërsa Ekrem Xhaka dhe Dardan Latifi pjesë e construction team. Blerim Shala ishte props master, Sandra Münchenbach stand by art direction & props, ndërsa Fitim Haziri props assistant.

Në departamentin e kostumeve, Altin Lala ishte assistant costume designer, Lendita Idrizi merrej me wardrobe, Genta Jashari ishte assistant make-up, ndërsa Jorgo Kinolli ishte costume van driver. Taulant Hajdini ishte base manager, ndërsa Erjise Beqiri cast production assistant.

Kështu, “Shame and Money” mbërriti në PriFest jo vetëm si një film që kishte kaluar tashmë përmes një prej festivaleve më të rëndësishme të kinemasë në botë, por si një vepër që rikthehet te realiteti kosovar dhe e vështron atë nga brenda: nga fshati që zbrazet, te qyteti që kërkon gjithnjë e më shumë prej individit; nga një familje që jeton me atë që prodhon, te një realitet ku gjithçka kërkon një çmim.

Mes heshtjes së personazheve, tensionit të mbijetesës dhe përplasjes së dy mënyrave të jetesës, filmi i Visar Morinës e vendos paranë aty ku ajo shpesh bëhet më e fuqishme se një monedhë, në mes të marrëdhënieve njerëzore. Dhe pikërisht përmes kësaj teme, “Shame and Money” e gjen rrugën nga një histori e vendosur në Kosovë drejt një audience më të gjerë, e cila, siç u dëshmua edhe në Sundance, mund ta njohë veten në të njëjtat pasiguri, dëshira dhe vështirësi.

PriFest-i vazhdon me programin e tij filmik, duke sjellë para publikut në Prishtinë filma, autorë dhe rrëfime që e zgjerojnë hapësirën e kinemasë kosovare dhe asaj ndërkombëtare./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit