Në mbledhjen e parë të Qeverisë, një ditë pas votimit në Kuvend, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka bërë thirrje rivalëve politikë për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit, duke thënë se do të ishte “e pafalshme” që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme sërish për shkak të kësaj çështjeje.
“Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, ju bëj thirrje liderëve politikë: kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë. Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike,” tha Albin Kurti, Kryeministër.
Kuvendi i Kosovës u konstituua dje pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.
PDK-ja ndërkohë i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit të ri derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën.
“Procedimet e sotme dhe konstatimet e tyre se Kuvendi është konstituar janë përtej afateve kushtetuese dhe gjithçka që del nga ky Kuvend ne do ta dërgojmë për shqyrtim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Kosova duhet të funksionojë sipas rendit kushtetues dhe jo sipas një rendi që tenton ta krijojë Kurti për interesat e tij politik,” tha Arian Tahiri, Deputet i PDK-së.
Kuvendi u shpall i konstituuar të dielën paradite, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë. PDK-ja nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, kur LVV-ja nuk ia kishte votuar në seancën e të premtes. LVV kishte thënë të shtunën vonë se do ta votonte Çitakun. Por, PDK nuk pranoi të merrte pjesë.
Pas votimit të nënkryetarëve, Albulena Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”. Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje. /Alsat.mk






