Provimi i jurisprudencës në shqip, Shasivari i përgjigjet deputetes së BDI-së

Advertisement

Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është vetëm çështje e një provimi, por edhe e mundësive të barabarta për juristët e rinj dhe e cilësisë së sistemit juridik, deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, nga foltorja e Kuvendit.

Shasivari iu përgjigj pyetjes së deputetes së BDI-së, Dijana Toska, lidhur me atë se kur studentët do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ministri theksoi se këtë çështje nuk e konsideron si etnike apo politike, por si çështje juridike dhe institucionale.

“Gjuha mund të jetë e ndryshme, kriteri duhet të jetë i njëjtë”, tha Shasivari, duke shtuar se duhet të sigurohet qasje e barabartë dhe respektimi i të drejtave gjuhësore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Sipas tij, në Ministrinë e Drejtësisë kanë mbërritur kërkesa nga pesë organizata studentore për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe, ndërsa disa prej tyre kanë kërkuar që provimi të jetë i disponueshëm edhe në gjuhën angleze dhe turke.

“Për mua, kjo nuk është vetëm statistikë, por është një mesazh nga të rinjtë që përgatiten të bëhen pjesë e sistemit juridik dhe këtë mesazh dua ta dëgjojmë”, tha Shasivari.

Ai paralajmëroi se në fillim të vitit të ri akademik, në tetor, do t’i ftojë përfaqësuesit e organizatave studentore në një takim koordinues për të diskutuar këtë çështje.

Shasivari tha se çdo iniciativë e ardhur nga studentët dhe akademia duhet të shqyrtohet dhe analizohet seriozisht.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit