Aktualisht po punohet në pjesën qendrore të qytetit ndërsa paralajmërimet janë se do të vazhdohet të punohet edhe në pjesët tjera të qytetit respektivisht në rrugët që kanë ngelur pa u përfunduar
Urim HASIPI
Gostivar, 11 shtator – Pas një pushimi të përkohshëm, ditë më parë kanë rifilluar punimet infrastrukturore në qytetin e Gostivarit. Punimet në infrastrukturën rrugore ishin ndërprerë për shkak të sezonit veror dhe kthimit të mërgimtarëve në vendlindje duke shmangur kaosin në trafik por që edhe makineria të mos jetë pengesë për zhvillimin normal të komunikacionit, pasi që gjatë verës në këtë qytet rritet ndjeshëm numri i automjeteve. Në disa vende të qytetit tashmë sërish zhvillohen punime të cilët kishin filluar në pjesën e parë të këtij viti. Aktualisht po punohet në pjesën qendrore të qytetit ndërsa paralajmërimet janë se do të vazhdohet të punohet edhe në pjesët tjera të qytetit respektivisht në rrugët që kanë ngelur pa u përfunduar. Bëhet fjalë për segmente të rëndësishme rrugore të qytetit dhe qytetarët presin që të njëjtat të rregullohen sa më parë. Kryetari i Komunës ë Gostivarit, Valbon Limani është shprehur se pritet që të ketë edhe projekte tjera për të mirën e qytetarëve.
“Projektet të cilët ishin ndërprerë tashmë kanë vazhduar dhe punohet sipas planifikimeve. Punohet në rrugën që është në pjesën qendrore të qytetit në një gjatësi prej 660 metrave. Përveç kësaj do të punohet edhe në pjesën e bulevardit si dhe në pjesën e urës së re. Poashtu punojmë edhe në projekte tjera për nevojat që kanë qytetarët dhe në atë drejtim shpresojmë se do të kemi lajme të mira”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit Valbon Limani.
Ndryshe, punimet infrastrukturore ishin ndaluar në fund të muajit qershor duke shmangur kaosin me makineritë nëpër rrugët e qytetit në kohën kur në vendlindje qëndrojnë mërgimtarët. Komuna gjatë periudhës së kaluar kishte përcaktuar paraprakisht dinamikën e realizimit të projekteve që janë në zhvillim, me qëllim shmangien e problemeve shtesë në komunikacion gjatë muajve të verës. Pas largimit të mërgimtarëve tani punimet zhvillohet me intensitet të shtuar dhe paralajmërimet janë se deri në fund të vitit do të përfundohen. Një projekt që pritet të fillojë të realizohet është ndërtimi i urës së re pranë Gjykatës, me. Sipas Valbon Limanit, realizimi i këtij projekti do të kërkojë më shumë kohë, por ai thekson se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm për qytetin.
“Shpresoj që qytetarët të kenë durim, sepse në fund do të kemi një vepër moderne dhe një urë të bukur, e cila, ashtu siç kemi paralajmëruar, do të ketë katër korsi”, u shpreh Limani kohë më parë. Sipas tij, rrugët që ndërtohen janë me standard të ri e cila rrit jetëgjatësinë e rrugës pasi që shpesh herë të njëjtat edhe pse janë asfaltuar janë dëmtuar menjëherë. Sikurse shumë pushtete lokale edhe në Gostivar kryefjala mbetet infrastruktura rrugore. Deri më tani janë rregulluar disa rrugë ndërsa pjesa dërmuese e tyre financohen nga pushteti qendrorë. (koha.mk)






