Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë seancën e 104-të, ku pikë kryesore e rendit të ditës është interpelanca ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.
Interpelanca është dorëzuar nga deputetët e opozitës së LSDM-së, të cilët e akuzojnë ministrin për dyshime mbi korrupsion sistematik në sektor, shpërndarje jotransparente të fondeve publike dhe probleme që lidhen me programin IPARD 3.
Përveç interpelancës, deputetët do të shqyrtojnë dhjetëra propozim-ligje në lexim të parë dhe me procedurë të shkurtuar. Mes tyre janë ligje që kanë të bëjnë me procedurën civile, shërbimin gjyqësor dhe prokurorial, energjinë nga burimet e rinovueshme, lojërat e fatit, TVSH-në, armët, duhanin dhe mediat audiovizive.
Në rend dite janë edhe zgjedhja e anëtarëve të disa institucioneve shtetërore, përfshirë Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Këshillin Gjyqësor dhe Komisionin për Parandalimin e Diskriminimit.
Gjithashtu, Kuvendi pritet të diskutojë edhe ndryshimet në Strategjinë për Zhvillim Rajonal të vendit për periudhën 2021–2031.






